Largohen nga puna 60 punëtorë të spitalit në Gjilan

Largohen nga puna 60 punëtorë të spitalit në Gjilan

60 punëtorë të Qendrës së Mjekësisë Familjare “Nagip Rexhepi” në komunën e Gjilanit kanë mbetur pa punë meqë qeverisja komunale e cila drejtohet nga kryetari Lutfi Haziri nuk u ka vazhduar kontratat e punës me arsyetimin se nuk kanë mjete financiare.

Për këtë ka reaguar sot Partia Demokratike e Kosovës, përmes degës së saj në Gjilan.

Përmes një komunikate dërguar medieve, PDK ka shprehur shqetësimin e tyre për mos vazhdimin e kontratave për 60 punëtorët.

Ata thonë se numri i punëtorëve të larguar është pasojë e keqmenaxhimit.

“Largimi nga puna i këtyre punëtorëve dhe mbetja borxh ndaj tyre për tri paga, janë absurditeti i radhës i qeverisjes Haziri në Gjilan. Kemi parasysh deklarimet e tija publike me këtë rast se ky numër është i domosdoshëm për funksionimin normal të shëndetësisë primare. Si do të mbulohen shërbimet dhe a do rrezikohen qytetarët nga mungesa e shërbimeve shëndetësore”, thuhet në reagimin e PDK-së.

“Ky veprimi i kryetarit të komunës na jep të kuptojmë për mungesë profesionalizmi, serioziteti dhe gatishmërie për shëndetësinë gjilanase. Prandaj, PDK-ë shpreh keqardhje dhe e kundërshton mënyrën se si janë larguar punëtorët shëndetësor nga puna te cilët kane shërbyer me vite të tëra”, ka thënë PDK. /Insajderi.com