Lamtumirë lotaria amerikane

Lamtumirë lotaria amerikane

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka mbështetur një projekt-ligj të dy senatorëve amerikanë, i cili në rast se gjen mbështetjen e Kongresit, mund të ulë me 50% numrin e emigrantëve të ligjshëm në Shtetet e Bashkuara.

Paketa parashikon heqjen e lotarisë amerikane si dhe reduktimin drastik të leje-qëndrimeve që u jepen qytetarëve të huaj.

Që Donald Trump i ka shpallur luftë emigracionit të jashtëligjshëm, kjo është parë që prej fushatës së tij presidenciale.

Megjithatë, Presidenti aktual i Shteteve të Bashkuara ka mbështetur edhe një projekt-ligj për kufizimin e emigracionit të ligjshëm, i cili është prezantuar nga dy senatorët republikanë, Tom Cotton dhe David Perdue.

Në rast se kjo paketë do të mbështetet në Kongres, përcjell oraneës.al, shifrat e masave migratore në Shtetet e Bashkuara mund të përgjysmohen në 10 vitet e ardhshme, ndërsa është parashikuar që t’i jepet fund lotarisë amerikane si dhe të ketë kufizime drastike në dhënien e leje-qëndrimeve të përhershme.

Në fjalën e tij, Trump e ka konsideruar reformën si planin më të mirë që mund të ndërmarrë ShBA në më shumë se gjysmë-shekulli.

Projekt-ligji i dy senatorëve, pavarësisht mbështetjes së hapur nga Presidenti, është përballur me kundërshtimet e ashpra nga anëtarët e Kongresit amerikan, ndaj në këtë moment, shanset që ajo të miratohet janë mjaft të pakta. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se gjithçka mund të ndodhë në rast se lideri aktual i Shtëpisë së Bardhë do të nisë një fushatë për të bindur senatorët e kampit të tij.

Paketa e dorëzuar në Kongres është pritur me kundërshtime të ashpra edhe nga një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve, të cilët nuk pajtohen me qëndrimet e Presidentit.

Sipas tyre, masa të tilla ekstreme cenojnë rëndë parimet mbi të cilat janë ngritur Shtetet e Bashkuara të Amerikës.