Lajme të këqija për Arlind Ajetin te Torino

Sipas mediave italiane, qendërmbrojtësit kosovar Arlind Ajeti do t’i duhen edhe dy javë për t’u rikthyer në fushë.

Lajme të këqija për Arlind Ajetin te Torino

22-vjeçari i lindur në Bazel e nisi mbarë aventurën me Torinon, duke shkëlqyer në miqësoret e para përgatitore. Por pikërisht në momentin më të mirë ai pësoi një tërheqje muskulore që e la jashtë ndeshjes së parë të kampionatit ndaj Milanit.

Sikur të mos mjaftonte ky problem, lojtari u gjend në një situatë të vështirë në ditët e fundit të merkatos, kur ishte pranë largimit nga klubi “Granata”, shkruan “Panorama Sport”.

Gjithsesi mbrojtësi i kombëtares kuqezi mbeti në Torino dhe sapo të vërë sërish këmbën në fushë i duhet të bindë trajnerin Mihajloviç t’i bëjë një vend titullari në qendër të prapavijës. /Insajderi.com