Lagjja ku u masakruan 19 shqiptarë, u bën thirrje serbëve për bashkëjetesë

Lagjja ku u masakruan 19 shqiptarë, u bën thirrje serbëve për bashkëjetesë

Lufta e vitit 1999 në Kosovë ishte shumë e dhimbshme për lagjen Imeraj nga Padalishta e Istogut. Aty, më 26 mars të atij viti, u masakruan 19 shqiptarë – prej 2 deri në 76 vjeç.

Në këtë lagje sot është mbajtur një protestë nga banorët shqiptarë, me qëllimin që t’i pengojnë banorët lokalë serbë të shkojnë në mitingun e organizuar në Leposaviq në fushatën për zgjedhjet presidenciale në Serbi.

Rreth 25 banorë kishin zgjedhë ta bllokonin rrugën pikërisht te varrezat e lagjes Imeraj, aty ku pushojnë trupat e të masakruave.

Protesta nuk kishte qëllime urrejtjeje ndaj tyre, por kërkonte nga serbët që ata të mos bien pre e nacionalizmit të rremë të zyrtarëve të Beogradit.

Ata mbanin në duar pankarta me mesazhe bashkëjetese.

“Vuçiq na lër të qetë”, “Ta ndërtojmë Kosovën së bashku”, “Ju i përkisni këtij vendi e jo Vuçiqi”, ishin disa nga pankartat e protestuesve.

Bllokimi i rrugës zgjati mbi 2 orë dhe gjithçka shkoi mirë.

“Policia e Kosovës ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme gjatë protestës, e cila ka kaluar pa problem, me ç’rast edhe rruga është liruar për qarkullim rreth orës 10:40”, thuhet në njoftimin e policisë./Insajderi.com