Labinot Tahiri thotë se “fati i Republikës” nuk është në duart e tij

Labinot Tahiri thotë se “fati i Republikës” nuk është në duart e tij

Deputeti i Aleancës Kosova e Re, Labinot Tahiri ka reaguar ndaj lajmeve të publikuara sot në media, ku thuhej se fati i Kosovës është në duart e tij.

Tahiri, në një postim në rrjetin social Facebook, ka shkruar se një gjë e tillë s’është e vërtetë, pasi që për fatin e vendit vendos populli dhe gjithë deputetët e Kuvendit.

 

“Republika nuk është në duart e Labinot Tahirit, por është në duart e popullit dhe në përgjegjësinë e të gjithë politikanëve të Kosovës.  Unë po vazhdoj të konsultohem edhe me akademikët e vendit dhe me historianë të vendit tonë për një zgjidhje të kësaj çështjeje”, ka thënë Tahiri.

Tahiri ka thënë se “sugjerimet e tyre për vendin, jane të dobishme, për faktin se në Parlamentin e Kosovës, nuk po frymon vullnet për zgjidhje te krizave politike, por vazhdimësi e inateve personale dhe partiake. Pra nje trishtim i pa nevojshëm për brezat e ri të politikës”.

Deputeti i zgjedhur nga radhët e AKR-së ka kritikuar Listën Serbe, derisa ka thënë se vet ai nuk do të jetë pjesë e lojërave.

“Është e pa nevojshme dhe shumë hipokrite, kur Lista Serbe, thotë se ne nuk do jemi në Kuvend, për arsye derisa partite shqiptare te mirren vesh…! E rendë kjo. Unë nuk i takoj kësaj loje…! Kosova, boll ka qenë në ngërç, është mëkat ta vazhdoj traditën e ngërçit derisa njerëzit kërkojnë themelimin e institucioneve”, ka thënë Labinot Tahiri. /Insajderi.com