Ky është plani i Policisë për protestën e nesërme

Policia po ashtu u bën APEL edhe qytetarëve dhe bizneseve të cilët nuk janë pjesë e protestës, por janë në afërsi të ambientit ku mund të zhvillohet kjo protestë, të jenë të kujdesshëm për shkaqe sigurie.

Ky është plani i Policisë për protestën e nesërme

Policia e Kosovës ka dërguar një komunikatë për media nëpërmjet së cilës ka informuar planin e saj lidhur me protestën e paraparë të mbahet nesër me 1 shtator, kundër ratifikimit të Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi.

Sipas Policisë, edhe pse protesta nuk është lajmëruar “ashtu siç parashihet me procedurat dhe Ligjin mbi tubimet publike”, PK me kohë ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme, “duke hartuar planin operativ për menaxhimin e situates së sigurisë, para, gjatë dhe pas këtyre zhvillimeve”.

Ja versioni zyrtar i Policisë së Kosovës:

Qëllimi  i  planit (urdhrit) operativ është:

Mbajtja e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike dhe zbatueshmëria e Ligjit në vend.

Ndërmarrja e masave të nevojshme parandaluese, operative policore për të siguruar që mbarëvajtja e tubimimit/protestës të kaloj e qetë dhe pa incidente dhe pjesëmarrësit të jenë në gjendje të shprehin qëllimin e tyre në mënyrë demokratike dhe në suaza ligjore.

Garantimi i lëvizjes së lirë dhe shprehjes,

Mbrojtja e jetës, pronës dhe pasurisë së qytetarëve dhe asaj shtetërore.

Ndërmarrja e masave ligjore ndaj veprimeve të kundërligjshme dhe luftimi i dukurive negative që mund të shkaktojnë jo stabilitet në vend, që në çfarëdo mase do të rrezikonte Rendin, Qetësinë dhe Sigurinë Publike.

Gjithashtu Policia e Kosovës është e mandatuar me ligj dhe Kushtetutë të krijoj kushte në aspektin e sigurisë për funksionimin normal të institucioneve shtetërore, në rastin konkret edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Policia e Kosovës njeh të drejtën e qytetarëve për tubime publike, fjalën e lirë në tubime publike, protesta e manifestime, në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet në fuqi dhe APELON tek të gjithë qytetarët që të jenë të kujdesshëm dhe të përmbahen nga çfarëdo veprim i dhunshëm, i cili mund të shkaktojë pasoja në vetë protestuesit dhe tek zyrtarët policorë, të cilët kujdesen për rend dhe siguri publike.

Policia po ashtu u bën APEL edhe qytetarëve dhe bizneseve të cilët nuk janë pjesë e protestës, por janë në afërsi të ambientit ku mund të zhvillohet kjo protestë, të jenë të kujdesshëm për shkaqe sigurie.

Gjithashtu me qëllim të mundësimit të realizimit të detyrave dhe përgjegjësive që kanë gazetarët edhe krijimin e një ambienti sa më të favorshëm për ta, rekomandojmë që të gjithë gazetarët të jenë të pajisur me shenja (apo xhaketa) dalluese “PRESS” apo nëse parashihet ndryshe, në menyrë që identifikimi dhe qasja e tyre të jetë më e lehtë në funksion të marrjes së informacioneve reale dhe percjelljes së të gjitha zhvillimeve që mund te konsiderohen të rëndësishme për publikun dhe mediat.

Policia e Kosovës, falënderon të gjithë qytetarët për mirëkuptimin e shprehur dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm të treguar me zyrtarët policor gjatë realizimit të detyrave policore.