Kuvendi komunal i Prishtinës në pushim

Kuvendi komunal i Prishtinës në pushim

Kuvendi Komunal i Prishtinës sërish është në bllokadë, ngase Ekzekutivi komunal nuk ka caktuar asnjë seancë të re.

Opozita ankohet se nuk arrin të kontaktojë me kreun komunal Shpend Ahmeti, shkruan sot “Koha Ditore”.

Një muaj para përfundimit të mandatit në këtë përbërje, KK i Prishtinës deri në këtë periudhë viti ka mbajtur 4 seanca.

Subjektet opozitare kanë thënë se janë në pritje të ftesës së Ekzekutivit për seancën e radhës, teksa pozita thotë se do ta bëjë këtë sipas nevojës.

Sipas zyrtarit për informim në Komunën e Prishtinës, Adonis Tahiri është opozita ajo që e ka krijuar një situatë të këtillë në Kuvend dhe jo mungesa e vullnetit të ekzekutivit për të trajtuar çështjet që i takojnë.

Por Agim Gashi, shef i Grupit të kuvendarëve të LDK-së, ka thënë se Qeveria komunale nuk ka bërë një ftesë për mbledhjen e radhës.

Albulena Nrecaj, drejtoreshë ekzekutive në OJQ-në INPO, e cila përcjell punën e KK-së ka thënë se fillimisht Kuvendi ka filluar punimet e tij për vitin 2017 pa pasur Plan të Punës, ashtu sikurse e parasheh Ligji. Kurse, deri me sot, KK-ja ka mbajtur gjithsej 7 mbledhje, 4 të rregullta, 1 urgjente, 1 të jashtëzakonshme dhe 1 solemne.

Sipas Ligjit, KK-ja është e obliguar që brenda 6-mujorit të parë të vitit të mbajë së paku 5 mbledhje të rregullta.