Kuvendi anulon një konkurs shkaku i shkeljes ligjore të kryetares së Kushtetueses

Kuvendi anulon një konkurs shkaku i shkeljes ligjore të kryetares së Kushtetueses

Përfshirja e jashtëligjshme e kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama-Hajrizi, në procesin e përzgjedhjes së një gjyqtari të së njëjtës gjykatë ka bërë që të martën Kuvendi ta kthejë procesin në pikën zero, shkruan sot Koha Ditore.

Rama-Hajrizi ia kishte mbajtur fshehtë Kuvendit konfliktin e interesit që buronte nga fakti se ajo e kishte të afërm njërin nga kandidatët në garë për anëtar të Kushtetueses.

Kuvendi e ka kthyer procesin nga e para ditën kur “Koha Ditore” ka raportuar për këtë situatë të shkeljes ligjore.

“Komisioni i posaçëm për shqyrtimin e kandidatëve për gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese, në mbledhjen e sotme, njëzëri vendosi që, në funksion të mbarëvajtjes së procesit, e gjithë procedura për zgjedhjen e një kandidati për gjyqtar të kësaj gjykate të kthehet nga fillimi”, thuhet në një informatë të shkurtër të Kuvendit. “Komisioni vendosi që ripublikimi i thirrjes/ftesës për zgjedhjen e kandidatit për gjyqtar të bëhet më 14 dhjetor 2017”.