Gjykata Kushtetuese ka vendosur në favor të Valdete Dakës, e cila ishte ankuar se në procedurën e përzgjedhjes së Kryetarit të Gjykatës Supreme të Kosovës – ku u zgjodh, Enver Peci, dhe ku kandidate ishte edhe Valdete Daka – ka pasur parregullsi të cilat kanë reflektuar në cenimin e të drejtave të saj të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Sipas Kushtetueses, Këshilli Gjyqësor i Kosovës duhet të mbajë proces të ri votimi për përzgjedhje të kandidatit për pozitën e Kryetarit të Gjykatës Supreme.
Gjykata kushtetuese paraprakisht me këtë aktgjykim e shpall të pavlefshëm edhe zgjedhjen e Pecit në detyrën e kryetarit të Supremes dhe tani rasti është kthyer në pikën zero, raporton Klan Kosova.
Në arsyetimin që e ka dhënë Kushtetuesja në marrjen e këtij vendimi thuhet që “mekanizmi i votimit i zbatuar nga KGJK-ja për kandidatët për emërim në pozitën e Kryetarit të Supreme, nuk ka parashikuar masat e nevojshme për të garantuar zbatimin e mjaftueshëm të parimeve të barazisë, transparencës dhe hapjes gjatë procesit të votimit”.
“Si rezultat i këtij procesi të votimit të gabuar dhe jokoherent, të gjithë kandidatet për Kryetar të Gjykatës Supreme, duke përfshirë edhe parashtruesen e kërkesës, ishin vendosur në një pozitë të pasigurisë juridike, pabarazisë dhe përzgjedhjes së pamerituar”, ka thënë Gjykata Kushtetuese.
