Kushtetuesja pezullon dekretimin e Enver Pecit si kryetar të Supremes

Kushtetuesja pezullon dekretimin e Enver Pecit si kryetar të Supremes

Gjykata Kushtetuese ka pezulluar dekretimin e Kryetarit të Gjykatës Supreme, Enver Peci, pas ankesës nga kandidatja tjetër për këtë post, Valdete Daka.

Valdete Daka, e cila është momentalisht kryetare e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, më 6 mars kishte dorëzuar ankesë në Gjykatën Kushtetuese lidhur me zgjedhjen e Enver Pecit në krye të Gjykatës Supreme.

Në ankesën e deponuar nga Daka në Gjykatën Kushtetuese, ajo ankohej se numërimi i votave u bë në mënyrë të gabuar. Daka konsideronte se në procesin e votimit për zgjedhjen e kryetarit të Gjykatës Supreme pati padrejtësi.

E pas kësaj ankese, Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim që të vendosë masë të parakohshme deri më 16 maj dhe të pezullojë procedurën e dekretimi të kryetarit të Gjykatës Superme nga presidenti i Kosovës Hashim Thaçi.

Në vendimin e Kushtetueses, të cilin e ka siguruar Insajderi, thuhet se pezullimi vlen derisa të përfundojë procedura e ankesës së Valdete Dakës në Gjykatë.

“Në vlerësimin e kërkesës për masë të parakohshme, Gjykata shqyrton nëse janë përmbushur kriteret e përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe me rregullore të punës. Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafit 2 të nenit 116 [Efekti Juridik i Vendimeve] të Kushtetutës që përcakton:

[…] 2. Përderisa procedura të mos përfundojë para Gjykatës Kushtetuese, ajo mund të suspendojë përkohësisht veprimin ose ligjin e kontestuar, derisa të merret vendimi i Gjykatës, nëse konsideron që aplikimi i veprimit a ligjit të kontestuar mund të shkaktoj dëme të pariaprueshme”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese, përmes këtij vendimi ka konkluduar se kërkesa e Dakës për vendosjen e masës së parakohshme “duhet të miratohet, në mënyrë që të mbrohet interesi publik”.

Më 6 mars të këtij viti, Enver Peci ishte zgjedhur kryetar i Gjykatës Supreme të Kosovës, me shumicë të votive. Për Pecin “Për” kishin votuar gjashtë anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, e katër kishin abstenuar.

Mandati i kryetarit të Gjykatës Supreme është 7 vjeçar. /Insajderi.com