Kushtetuesja gjen shkelje në ligjin për veteranët e UÇK-së

29.03.2017 17:28
Kushtetuesja gjen shkelje në ligjin për veteranët e UÇK-së

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka pranuar si të vlefshme një ankesë të deputetes së Vetëvendojses, Aida Dërguti, dhe 23 deputetëve të tjerë të Kuvendit të kosovës, lidhur me kushtetutshmërinë e Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për veteranët e luftës.

Përmes një komunikate për media, Kushtetuesja ka thënë se ka gjetur se njëri nen i këtij ligji nuk është në përputhje me kushtetutën e vendit.

Njoftimi i plotë:

Gjatë seancës së mbajtur më 28 mars 2017, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës u këshillua dhe votoi në rastin KO 01/17, “Vlerësim i kushtetutshmërisë së Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L -261 për veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, përkitazi me kërkesën e parashtruar nga Aida Dërguti dhe 23 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Gjykata Kushtetuese, si autoriteti përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës, njëzëri vendosi që:

TA DEKLAROJË kërkesën të pranueshme;

TË SHPALLË që neni 3 (2) i Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 04/L-241 për Veteranët e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me të cilin u shtuan paragrafët 5 dhe 6 në nenin 16 të Ligjit Nr. 04/L-241 për Veteranët e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk është në pajtueshmëri me nenin 24 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 46 të Kushtetutës;

TË SHPALLË që neni 4 i Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 04/L-241 për Veteranët e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me të cilin u shtuan neni 16A, paragrafët 1, nënparagrafët 1.1, 1.2 dhe 1.3 në Ligjin Nr 04/L-241 për Veteranët e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është në pajtueshmëri Kushtetutën;

TË SHPALLË që neni 5 i Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 04/L-241 për Veteranët e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me të cilin u fshi neni 18 i Ligjit Nr. 04/L-241 për Veteranët e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është në pajtueshmëri me Kushtetutën;

Teksti i plotë i Aktgjykimit do t’u komunikohet palëve dhe do të publikohet në Gazetën Zyrtare në kohën përkatëse.