Kush i ka numrat? – Dita kur partitë dëshmojnë fuqinë parlamentare

02.08.2017 22:24
Kush i ka numrat? – Dita kur partitë dëshmojnë fuqinë parlamentare

Dy taboret politike koalicioni PAN (Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA për Kosovën) dhe koalicioni LAA (Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca Kosova e Re dhe Alternativa) i barikaduar së bashku me Lëvizjen Vetëvendosje kundër Ramush Haradinajt për kryeministër dhe Kadri Veselit kryeparlamentar do të ballafaqohen të enjten në  sallën e Kuvendit të Kosovës.

Të dy taboret do të ballafaqohen pas një periudhë gati dy mujore të ballafaqimit nëpër media mbi atë se kush i ka numrat do të kenë rastin që të martën në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës të dëshmojnë se deputetët e partive apo koalicioneve që kanë garuar në zgjedhjet e 11 qershorit i qëndrojnë besnik parimit të vijave të kuqe për kundërshtarin politik.

Megjithatë lëvizjet dhe përfoljet që kanë ndodhur gjatë kësaj kohe kur PAN dhe LAA me VV-në janë “grindur se i kanë të sigurt numrat” kanë shtuar edhe më shumë paqartësitë nëse fillimisht Kadri Veseli do të arrijë të zgjidhet kryeparlamentar i Kosovës dhe më pas në një seancë tjetër, nëse Ramush Haradinaj i ka numrat për tu zgjedhur kryeministrat, raporton Insajderi.

Rrugëtimi katërvjeçar i Kadri Veselit si kryetar i Kuvendit të Kosovës do të mund të vendoset nesër.

Ai në seancën e parë të sesionit të ri të Kuvendit do t’i presë votat e deputetëve që ta ulin përsëri në krye të legjislativit.

Por, tani kur kanë mbetur edhe pak orë nga kjo seancë, kundër tij kanë dal shumica e partive opozitare dhe deputetëve.

Mirëpo, ky fakt nuk po i bën përshtypje fare Partisë Demokratike të Kosovës, që drejtohet nga vetë Veseli.

Në këtë parti janë të bindur se Veseli nesër do të bëhet kryetar i Kuvendit. Këtë bindje e ka edhe vet numri dy i PDK’së, Enver Hoxhaj.

“S’kemi asnjë dilemë më. Votat i kemi dhe Kadri Veseli do të jetë kryetar i Kuvendit. Ne nuk kemi tjetër kandidat për këtë pozitë. Madje as nuk është diskutuar për dikë tjetër. Veseli është ai që e ka përkrahjen e krejt partisë”, ka thënë Enver Hoxhaj për Express.

Në rast se Kuvendi dështon ta zgjedh kryetarin e ri të Kuvendit vendi rrezikon të shkoj në zgjedhje. Këtë gjë e kanë paralajmëruar edhe anëtarët e partisë së Veselit, raporton Insajderi.

Koalicioni PAN insiston gjithashtu se Qeveria e drejtuar nga Ramush Haradinaj do të votohet. Ata gjithmonë kanë propaganduar se Haradinaj ka siguruar votat por po shikon për një koalicion më të gjërë.

Deri më tani asnjë koalicion paszgjedhor nuk është konfirmuar nga kandidati Haradinaj. Por gjithçka mbetet të shihet nesër. /Insajderi.com