Kush ishte rusja flokëkuqe e cila akuzohet për spiunim

Ka ofruar seks në shkëmbim të informatave dhe kishte jetuar me një njeri të moshuar. Në SHBA kishte arritur me vizë studentore.

Kush ishte rusja flokëkuqe e cila akuzohet për spiunim

Rusja Maria Butina, 29 vjeçe është akuzuar se si spiune ruse ishte infiltruar në organizatat politike amerikane duke përfshirë edhe Asociacionin Kombëtar të Pronarëve të Armëve (NRA).

Javën e kaluar një gjykatës federal ka urdhëruar që Butina të mbahet në paraburgim deri në gjykim, ku do të ballafaqohet me dy vepra penale.

Butina ka diplomuar në një universitet amerikan, dhe është përkrahëse e të drejtës në armë të cilën e përkrahë edhe Donald Trump.

Rusja flokëkuqe është akuzuar  se është spiune ruse, dhe këto janë faktet të cilat deri tani janë të njohur për të.

Prokurorët thonë se Butina është angazhuar në fushatën shumëvjeçare si agjente e fshehtë e Kremlinit “t’i përmirësojë interesat e vendit të saj”.

“Fushata e fshehtë e saj ka përfshirë planifikim të rëndësishëm, koordinim ndërkombëtar dhe përgatitje”, kanë shkruar prokurorët, transmeton Insajderi.com.

Ata kanë shtuar se ajo ka planifikuar të shërbehet me mashtrim në aplikacion për dhënie të vizave për emigrim në SHBA në mënyrë ta realizojë planin e saj.

Duke u thirrur në FBI, prokurorët kanë deklaruar se Butina ka pasur qasje në mijëra dollarë dhe ka pasur për qëllim që ato para t’i nxjerrë jashtë SHBA.

Në raportin e tyre për gjykatën, prokurorët pretendojnë se Butina ka qenë në kontakt me operativët rus dhe se një amerikani ajo i ka ofruar seks në shkëmbim të informatave.

Butina jeton me një njeri të vjetër, ish provokator politik Paul Erickson (56) nga Dakota e Jugut. Ata kanë jetuar në një shtëpi në Uashington. Erickson është zhdukur nga skena politike tashmë disa vjet, edhe pse ende ka lidhje të forta me konservativë më të spikatur.

Butina kishte punuar nën direktivën dhe mbikëqyrjen e një zyrtari anonim rus i cili vepronte si udhëheqës dhe trajner i saj, transmeton BBS.

“Tani gjithçka duhet të jetë e kujdesshme dhe pa zhurmë” e kishte dërguar Butina një mesazh kontaktit të saj një muaj para zgjedhjeve presidenciale në vitin 2016. Dhe një natë para votimit e kishte dërguar shefit të saj një tjetër mesazh  se “pret urdhra të mëtutjeshme”.

“Po shkoj të flejë, këtu është ora 3 e mëngjesit, Jam e gatshme për urdhra tjera”, ka shkruar ajo.

Gjatë inaugurimit të Trumpit, e ka shpërndarë fotografinë e ngjarjes në Kaptol.

“Ti je vajzë e patrembur!”, i kishte shkruar zyrtari rus, ku ajo ishte përgjigjur: “çfarë të them, e kam profesorin e shkëlqyer”.

Sipas medieve amerikane, zyrtari rus me të cilin ajo ishte në kontakt është Aleksandar Torshin, zëvendës i guvernatorit të Bankës Qendrore dhe shumë i lidhur me partinë e Putinit.

Ministria e jashtme ruse ka kumtuar se arrestimi i saj është dizajnuar ta zvogëlojë rezultatet pozitive të samitit të presidentëve amerikan dhe rus në Helsinki./Insajderi.com.