Kush ishte Ratko Mladiç, që u dënua sot nga Haga me burg të përjetshëm

Kush ishte Ratko Mladiç, që u dënua sot nga Haga me burg të përjetshëm

Gjykata Ndërkombëtare Penale për Ish-Jugosllavinë ka shqiptuar dënim me burg të përjetshëm për ish-komandantin serb Ratko Mladiç.

Ai u shpall fajtor për dhjetë nga gjithsej 11 pikat që gjendeshin në aktakuzë.

Ish-gjenerali serb është dënuar edhe për gjenocidin e Srebrenicës në vitin 1995, në të cilën ushtarët serbë vranë mbi tetë mijë meshkuj boshnjakë. Gjykata shpalli se ai është përfshirë në gjenocid, persekutim, asgjësim, vrasje dhe akte çnjerëzore të transferimit me forcë në Srebrenicë.

Krahas gjenocidit në Srebrenicë, Mladiç u shpall fajtor edhe për dëbim, asgjësim, robërim, vrasje, deportim dhe sulme antiligjore kundër civilëve, shkruan Anadolu Agency.

Ndërkaq, Mladiç nuk është dënuar për pikën e parë të aktakuzës, në të cilën akuzohet për “gjenocid” në qytetet Kljuç, Sanski Most, Kotor-Varos, Prijedor, Foça dhe Vlasenica.

Gjykatësi kryesues, Alphone Orie, tha: “Rrethanat ishin brutale, ata që u përpoqën të mbrojnë shtëpitë e tyre u përballën me forcë të pamëshirshme. Ekzekutime masive ndodhën dhe disa viktima humbën jetën pasi u rrahën”.

“Shumë nga autorët e veprave që kishin kapur muslimanët boshnjakë treguan pak ose aspak respekt për jetën ose dinjitetin njerëzor”, shtoi ai.

Mladiç ishte i përfshirë në që tribunali në Hagë e quajti “veprimtari gjithëpërfshirëse të shoqërimit në krim”, përfshirë krerë politikë dhe ushtarak serbë të Bosnjës.

Kjo kishte për qëllim “largimin e përhershëm të muslimanëve boshnjakë dhe kroatëve boshnjakë nga territori i pretenduar i serbëve të Bosnjës”, thanë gjykatësit.

Në kuadër të këtyre veprimtarive, krime të tjera po ashtu janë kryer gjatë konfliktit, përfshirë “marrjen peng të personelit të OKB-së për të detyruar NATO-n të tërhiqet nga kryerja e sulmeve ajrore kundër objektivave të serbëve të Bosnjës”.

Disa punonjës të OKB-së u kapën dhe u mbajtën me armë në operacione për të cilat gjykata hodhi përgjegjësinë mbi Mladiçin.

Largimi nga salla e gjykatës

I veshur në një kostum të zi dhe kravatë të kuqe, ish gjenerali 74-vjeçar tundi kokën e tij, pasi përmbledhja e hollësishme e gjetjeve të gjykatës filloi të lexohej.

Procesi u ndërpre pasi ai së pari kërkoi një ndërprerje për të shkuar në banjo. Kjo u mundësua, por u pasua më pas nga një kërkesë e ekipit të mbrojtjes për një analizë të gjakut.

Orie më pas urdhëroi që Mladiç të largohet nga salla e gjyqit për sharje dhe bërtitje.

Përmbledhja vazhdoi dhe përshkrimi i krimeve të përfshira në përmbledhjen e gjyqtarëve ishin grafike, me detaje të ekzekutimeve, ndarjeve të detyruara dhe torturave të të burgosurve.

Gjykatësit po ashtu thanë se forcat serbe të Bosnjës nën komandën e Mladiçit kishin marrë pjesë në një sërë krimesh lufte.

Këto forca u shpallën gjithashtu fajtorë për përhapjen e terrorit në mesin e popullatës civile në kryeqytetin Sarajevë dhe në pjesë të tjera të Bosnjës, në përpjekje për të spastruar disa territore të caktuara nga jo-serbët.

Të afërmit e të vrarëve në gjenocidin e Srebrenicës ndoqën shpalljen e aktvendimit përmes video-lidhjes nga Bosnja.

“Kasapi i Bosnjës”

Ratko Mladiç, tani 74 vjeç, dikur ishte njeriu më i kërkuar në Evropë, pas rolit të tij në Luftën e Bosnjës mes viteve 1992 dhe 1995.

Ai ishte komandanti i Armatës së Republikës Sërpska, e cila u themelua në Bosnjë e Hercegovinë në fillim të luftës brutale civile të vendit gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë.

Ai dhe forcat nën komandën e tij u shpallën fajtorë për gjenocidin e kryer në Bosnjë, veçanërisht në Srebrenicë, që përshkruhet si mizoria më e keqe e Evropës që nga Lufta e Dytë Botërore, ku më shumë se tetë mijë burra dhe djem muslimanë boshnjakë u vranë gjatë disa ditëve në vitin 1995 nga forcat serbe, pasi forcat serbe hynë në një enklavë që supozohej të ishte nën mbrojtjen e paqëruajtësve të OKB-së.

Megjithatë, Mladiç njihet gjithashtu për rrethimin e përgjakshëm të Sarajevës nga ana e forcave të tij që zgjati një mijë e 425 ditë, që është rrethimi më i gjatë i një kryeqyteti në historinë e luftës moderne.

Sipas aktvendimit të së mërkurës, Mladiç ka mbikëqyrur vrasjet, terrorin dhe sulmet e paligjshme ndaj civilëve në qytet, i cili ishte shënjestër i sulmeve të rregullta me mortajë mbi joluftëtarët, si dhe gjuajtjeve me snajper.

Kërkimi 15-vjeçar përfundoi në vitin 2011, kur Mlladiç u gjet dhe u dorëzua në Gjykatën e Hagës për gjykim më 31 maj të vitit 2011.

Gjykimi i tij, që zgjati më shumë se 500 ditë, përfshiu 591 dëshmitarë dhe nëntë mijë e 914 prova të pranuara nga gjykata.

Karriera

Ratko Mladiç lindi më 12 mars të vitit 1942 në zonën e Kalinovikut të Bosnjë e Hercegovinës.

Mladiç, i stërvitur në Akademinë Ushtarake të Ushtrisë Popullore Jugosllave (JNA) në Beograd, shërbeu fillimisht në JNA dhe pastaj në Ushtrinë e Republikës Sërpska (VRS), e cila u themelua në Bosnjë e Hercegovinë pas shpërbërjes së Jugosllavisë.

VRS u themelua në fillim të luftës në Bosnjë, më 12 maj të vitit 1992, ndërsa Mlladiç ishte komandanti i saj. Forcat e JNA-së në Bosnjë gjithashtu u shndërruan në njësi të VRS-së.

Pas përfundimit të luftës me Marrëveshjen e Dejtonit të arritur më 21 nëntor të vitit 1995, Mladiç ishte në arrati për më shumë se një dekadë.

Gjykimi i Mladiçit filloi më 16 maj 2012 dhe përfundoi me përmbledhje midis 5 dhe 15 dhjetorit të vitit 2016.

Që nga themelimi i saj, Gjykata Ndërkombëtare Penale për Ish-Jugosllavinë ka akuzuar 161 persona për shkelje të rënda të së drejtës humanitare nga shpërbërja e Jugosllavisë më 1991.

Procedurat për 155 prej tyre kanë përfunduar, kurse gjashtë raste të tjera aktualisht janë në procedim.