Kush ishte Brzezinski, strategu botëror që përkrahu Kosovën

Kush ishte Brzezinski, strategu botëror që përkrahu Kosovën

Zbigniew Brzezinski, teoricieni strategjik i politikave globale, ishte i prirur ta favorizonte faktorin e forcës në politikat e jashtme.

Ishte këshilltar për siguri i Presidentit Jimmy Carter në vitet e trazuara të krizave të pengjeve në Iran dhe të invazionit sovjetik të Afganistanit, në pjesën e dytë të 1970-ave.

Vdiq të premten në një spital në Virginia, në moshën 89 vjeçare.

Sikurse pasardhësi i tij, Henry Kissinger, Brzezinski ishte i lindur jashtë SHBA-ve (Poloni), por me ndikim të konsiderushëm në marradhëniet globale, para dhe pas angazhimit të tij në Shtëpinë e Bardhë.

Në librat, esetë, intervistat dhe paraqitjet e tij televizive përgjatë dekadave, ai i analizoi me mprehtësi gjashtë administratat amerikane, përfshirë edhe atë të Donald Trump, zgjedhjen e të cilit nuk e kishte përkrahur dhe për politikat e të cilit kishte thënë se kishin mungesë koherence.

Brzezinski ishte Demokrat, me pikëpamje që e bënin të fliste hapur kundër “lakmisë” së sistemit amerikan që krijonte pabarazi.

Ai ishte një nga ata pak ekspertë të politikës së jashtme që tërhoqi vërejtjen kundër invazionit ndaj Irakut më 2003.

Ndonëse nuk i kishte pranuar ndërhyrjet në Irak dhe Siri, Brzezinski e kishte përkrahur ndërhyrjen ushtarake në Kosovë.

Madje, më 2013, në llogarinë e tij në Twitter, ai kishte shkruar se “kontekstet gjeopolitike të Kosovës më 1999 dhe Sirisë së tashme, janë tejet të ndryshme. Nuk duhet të ngutemi me një përgjigjie luftënxitëse dhe të dalldisur sikurse ajo e 2003-tës”, duke iu referuar luftës në Irak.

Në një rast tjetër, Brzezinski e kishte krahasuar luftën e Kosovës për pavarësi me atë të vendeve si Osetia Jugore.

“Aspirata e Kosovës për pavarësi ishte përkrahur nga Bashkimi Europian, që ishte përgjegjës për veprimet e mëtejshme. Pavarësia e Kosovës ishte shprehje e vullnetit të kosovarëve. Nuk mendoj se Kosova mund ta krijojë një presedan për Abkhazinë, Osetinë Jugore apo Karabakun”.

Brzezinski do të njihet për katër vjetët e tij nën presidencën e Jimmy Carter, ku pengimi i ekspansionizmit sovjetik me çdo kusht nga ana e tij, duke filluar nga viti 1977, kishte qenë faktori që e kishte udhëhequr politikën e jashtme të SHBA-ve, për të mirë apo për të keq. /klankosova.tv