Kush është i përzgjedhuri i Albin Kurtit që lexoi letrën e tij nga burgu?

Kush është i përzgjedhuri i Albin Kurtit që lexoi letrën e tij nga burgu?

Heshtja e Albin Kurtit ndaj ofendimit të deputetës Aida Dërguti dhe zhvillimeve të ngjara gjatë kësaj jave në Lëvizjen Vetëvendosje, u thye sot, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje.

Deputeti dhe ish-kreu i Lëvizjes Vetëvendosje foli për përçarjen brenda subjektit dhe për ofendimin e Dërgutit kundër tij. Kurti shprehu nevojën për transparencë më të shtuar dhe kritikoi “disa njerëz” brenda partisë, që sipas tij, kur i humbin privilegjet mendojnë se atyre u është bërë padrejtësi.

“Disa njerëz kur i humbin privilegjet mendojnë se kjo është padrejtësi. Ata duhet të fillojnë të mendojnë se ndoshta privilegjet paskan qenë padrejtësi. Secili aktivist i VETËVENDOSJE!-s është i nevojshëm por asnjëri s’është i pazëvendësueshëm”, thuhej në letrën e Kurtit, dërguar nga burgu.

Në pamundësi për të lexuar letrën e tij në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, Kurti e caktoi aktivistin dhe drejtorin e Drejtorisë së Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Arben Vitia.

Kur doli në foltore, Vitia nuk tregoi përse ai ishte i përzgjedhuri i Kurtit për të lexuar letrën.

“Më lejoni që të lexoj letrën, dërguar nga Albini, i cili për shkak të pamundësisë për të lexuar këtë letër, më ka caktuar mua që ta lexoj këtë letër”, u shpreh Vitia, para se të fillonte leximin e letrës së dërguar nga Kurti.

Por, kush është Arben Vitia?

Ai është aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje dhe zyrtar i Komunës së Prishtinës. 44-vjeçari ka lindur në Prishtinë, ku jeton ende. Që nga viti 2010, Vitia është aktivist në Lëvizjen VETËVENDOSJE ku angazhohet në Komitetin për shëndetësi.

Vitia është drejtor i Drejtorisë së Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, që udhëhiqet nga Lëvizja Vetëvendosje, me kryetar Shpend Ahmetin.

Për punën e tij në Komunën e Prishtinës, Vitia shpeshherë është lavduar nga kryetari Ahmeti, raporton Insajderi.

Në zgjedhjet lokale të 22 tetorit, ai garoi për Asamble Komunale në Prishtinë. Ishte i dyti në listën e Lëvizjes Vetëvendosje në garën për Asamble dhe doli kandidati më i votuar. Madje, Vitia ishte asamblisti më i votuar në Kosovë.

Për nga aktivitetet e përbashkta dhe puna në Komunën e Prishtinës prej katër vitesh, ai është parë si njeri i afërt me Shpend Ahmetin.

Por, Vitia ka miqësi edhe me kryetarin aktual të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, për të cilin kishte thënë se është “njeri i mrekullueshëm”.

Mik i vjetër, njeriu i mrekullueshëm, shok i së ardhmes! Visar Ymeri

Posted by Arben Vitia on Saturday, 10 June 2017

Aktivisti 44-vjeçar e kishte quajtur “shok të së ardhmes” kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, i cili mungoi sot në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të organizatës, pas kritikave që mori të mërkurën, në një prononcim televiziv rreth ndodhive të fundit në Lëvizje.

Këshilli i Përgjithshëm i Vetëvendosjes vendosi sot që të shpallen zgjedhjet për kryetar të partisë. /Insajderi.com