Kush është përgjegjës për sigurinë e udhëheqësve të Kosovës?!

Kush është përgjegjës për sigurinë e udhëheqësve të Kosovës?!

Kohë më parë krerët e Kosovës, në kundërshtim të plotë me Protokollin e Shtetit, që të gjithë udhëtuan në Bruksel për t’u takuar me Mogerinin, si përfaqësuese e BE –së dhe për të biseduar për procesin e liberalizimit të vizave. Ky ishte vetëm preteksti kurse konteksti dhe arsyeja kryesore ishte takim i radhës midis presidentëve Thaçi dhe Vuçiq për vazhdimin e bisedimeve dhe nënshkrimit të një marrëveshje paqeje, sipas palës kosovare detyruese e që për rezultat do ta kishte njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia etj., të cilën edhe pala serbe si dhe ajo ndërkombëtare nuk e marrin si kusht të domosdoshëm për Serbinë. Se do të ketë vlerësim pozitiv për përmbushjen e kritereve për liberalizim të vizave nuk ka dyshuar askush (përveç atyre që kanë dashur të dështojë ky vlerësim) sepse Kosova nuk dallon aspak nga vendet e rajonit për përmbushje të këtyre kritereve dhe të cilat një kohë të gjatë janë përfitues të liberalizimit të vizave.

Sikur për shtetet e rajonit që kanë përfituar liberalizimin e vizave, sigurisht pa i plotësuar kriteret ashtu edhe për Kosovën, momenti politik dhe vendimi politik ka qenë dhe është përcaktues për liberalizim të vizave. Për KMDLNj shqetësim, përveç numrit të madh dhe parazitor të delegacionit, paraqet fakti se liderët e shtetit kanë udhëtuar në rrethana të pasigurta me ç’rast ka mundur t’iu rrezikohet edhe jeta sikur që një pjesë e tyre ka mundur të përfundojë në burgjet e Serbisë. Protokolli i Shtetit përcakton qartë se në çfarë kushte mund dhe duhet të udhëtojnë udhëheqësit e shtetit gjithnjë duke pasur parasysh sigurinë e tyre. Siç është e ditur për opinionin e gjerë, jo fort moti pati filluar një luftë e pashpallur midis AKI –së dhe Policisë së Kosovës për faktin se AKI bëri përpjekje t’i fusë nën filtër të verifikimit pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe udhëheqës të tyre. Madje, është një rregull që përcakton kushtet se kush mund të jetë monitorues në institucionet ku mbahen personat e privuar nga liria dhe për ta fituar këtë të drejtë duhet të kalohet procesi i verifikimit nga organet kompetente. Po flasë për KMDLNj sikur edhe për organizatat tjera monitoruese. Tash, të ndalemi dhe ta konkretizojmë arsyen e reagimit të KMDLNj-së për vizitën e fundit të krerëve të shtetit në Bruksel. Ata nuk vepruan sipas Protokollit të Shtetit dhe të udhëtojnë sikur kanë udhëtuar edhe më parë, me linja të rregullta fluturimi apo, në mungesë të tyre me ndonjë linjë të jashtëzakonshme të fluturimit por udhëtuan me fluturaken personale të Behgjet Pacollit, z/kryeministër i parë dhe ministër për Punë të Jashtme i Republikës së Kosovës. Përveç se kjo paraqet konflikt të ndyrë interesi, fluturimi me një avion privat të njërit prej anëtarëve të delegacionit e zbehë dhe ia humbë karakterin e një vizite zyrtare dhe shtetërore duke e shndërruar në një aheng privat sikur të shkonin në kanaxheq apo syneti. Asakush nuk e ka verifikuar se kush është piloti dhe kush janë pjesë e ekuipazhit dhe sa mund të ndikojnë në pa – sigurinë për jetën e krerëve më të lartë të shtetit. Kjo është e patolerurshme për një shtet normal dhe dikush do të duhej t’i nënshtrohej përgjegjësisë për këtë lëshim dhe shkelje të Protokollit të Shtetit.

Gjatë udhëtimeve të krerëve të shtetit në vendet normale, piloti dhe ekuipazhi i aeroplanit janë staf jashtëzakonisht i besueshëm që kalon verifikimin më të rreptë dhe, në të shumtën e rasteve janë pjesëtarë të forcave ajrore të atij shteti, me grada të larta ushtarake. Me gjasë, piloti i fluturakes së Behgjet Pacollit mund të jetë ndonjë pilot nga vendet e lindjes (Azerbejxjanit, Kazakistanit, Dagestanit apo të tjera) sikur që edhe ekuipazhi mund ta ketë këtë prejardhje. Kush i ka verifikuar këta persona që për një kohë e kanë pasur në duar jetën e udhëheqësve më të lartë të shtetit? Dhe si ka lejuar sigurimi i krerëve të shtetit t’ua besojë jetën e liderëve të Kosovës personave të paverifikuar dhe të cilët mund të kenë qenë edhe pjesëtarë të shërbimeve të huaja. Ata lehtësisht, duke improvizuar ndonjë defekt të paqenë kanë mundur të aterrojnë në Serbi dhe çka pastaj? Të jeshë pilot personal i biznismenit Pacolli nuk është e njëjtë sikur të jesh pilot i kryeministrit Haradinaj, kryekuvendarit Veseli apo presidentit Thaçi . Këta tre liderë por edhe të tjerët nuk kanë guxuar të fluturojnë me një aeroplan privat të një biznesmeni që, falë rrethanave aksidentale është bartës edhe i disa posteve të larta politike dhe shtetërore. Dhe të cilat po i përdorë për qëllime private sikur që është aeroplani i tij privat.

Behgjet Pacolli duhet ta dallojë funksionin e tij politik dhe shtetërorë nga ai privat dhe biznesor. Në vizita zyrtare dhe shtetërore nuk ka të drejtë të udhëtojë me aeroplan privat sikur që nuk ka të drejtë që, si ministër për Punë të Jashtme i Kosovës të udhëtojë zyrtarisht me vetura private dhe me regjistrim të Zvicres kur ka vetura zyrtare të shtetit të Kosovës. Pas këtij skandali i cili, po të ndodhte në një vend tjetër të botës, dorëheqjet do të pasonin sipas efektit domino, duhet të veprohet krejtësisht ndryshe dhe në përputhje të plotë me Protokollin e Shtetit duke e ndarë qartë biznesin nga politika dhe duke mos e lejuar konfliktin e interesit. Ndryshe, përveç konfliktit të interesit mund edhe të dyshohet për korrupsion si dhe privatizim të posteve politike dhe shtetërore. Kosova i ka institucionet e veta dhe nuk ka asnjë arsye që liderët të shkojnë dhe të lidhin koalicione nëpër shtëpi apo rezidenca private siç vepruan kur arritën pajtueshmëri në rezidencën e biznesmenit / politikanit Pacolli në ndërkohë që kishte hapësirë të mjaftueshme për këtë edhe në Kuvendin e Kosovës, qeverinë e Kosovës apo edhe në presidencë. Me të drejtë mund të pyetemi ; a është Kosova Republikë Parlamentare apo Korporatë Biznesore? Krahasoni këto dukuri dhe zhvillime me të njëjtat në shtetet tjera ku niveli i përfshirjes politike dhe shtetërore ka qenë shumë më i ulët dhe krahasoni pasojat dhe do të bindeni për arsyeshmërinë e reagimit të KMDLNj –së dhe mos – arsyeshmërinë e mosreagimit të shoqërisë civile e cila ka reaguar për lëshime shumë më të vogla duke kërkuar heqje kokash. Mos të flasim për ndërkombëtarët që këto dukuri kurrë nuk do t’i lejonin në vendet e tyre kurse te ne e deklarojnë si vizitë konstruktive!!!

Kryeministri i Kosovës, z. Haradinaj duhet ta ketë të qartë se është kryeministër i Kosovës dhe jo krushk i Behgjet Pacollit për të udhëtuar për vizita zyrtare dhe shtetërore me fluturaken private të biznismenit politikan Pacolli dhe se duhet t’i përmbahet Protokollit të Shtetit. Kryekuvendari i Kosovës, z. Veseli gjithashtu duhet të sillet si burrështetas që e respekton Kushtetutën e Kosovës përkatësisht Protokollin e Shtetit dhe jo të bëhet pjesë e eskortës së Pacollit duke fluturuar me aeroplanin privat të Pacollit. Nuk ka pse të shkojë në rezidencën e “Bacit“ Begjë dhe të nënshkruaj marrëveshje koalicioni apo politike, Nëse kështu vazhdon edhe në të ardhmën, le të largohet nga posti i kryetarit të Kuvendit. Presidenti Thaçi duhet ta ndajë miqësinë që e ka me Pacollin dhe të sillet si president i Kosovës duke fluturuar ashtu siç e ka bërë deri më tani. Aeroplani privat i Pacollit nuk mund të përdoret më për fluturime zyrtare dhe shtetërore sikur që as rezidenca private nuk do të duhej të përdorej për qëllime private, politike dhe shtetërore. Në të kundërtën, nëse shndërrohet si rregull i sjelljes dhe veprimit, do ta dëmtonte shumë Kosovën si shtet duke e shndërruar në një krijesë biseksuale, një përzierje e shtetërores me privaten.