Kush e nxiti luftën civile në Shqipëri?- zbulohet dokumenti

Kush e nxiti luftën civile në Shqipëri?- zbulohet dokumenti

Një debat i nisur nga avokati Spartak Ngjela, në lidhje me procesverbalin e mbajtur në mbledhjen e themelimit të Partisë Komuniste Shqiptare, riktheu edhe njëherë vëmendjen rreth rolit që ka pasur Jugosllavia dhe të dërguarit e saj në themelimin e PKSH-së dhe në të gjitha vendimet që janë marrë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe pas saj.

Bëhet fjalë sidomos për dy emisarët Miladin Popoviç dhe Dushan Mugoshën, të cilët kishin një lidhje të ngushtë me Enver Hoxhën.

Pas publikimit të një letre që Ngjela i kishte dërguar Ramiz Alisë mbi ekzistencën e procesverbalit, për të cilin i kishte treguar bashkëvuajtësi i tij në burgun e Ballshit, Zef Mala, Ngjela, do të rrëfejë më gjatë për atë që ai di mbi këtë procesverbal.

Pas intervistës në gazetën “Panorama”, ai i rikthehet çështjes në “Opinion”. Sipas rrëfimeve të Zef Malës “Enver Hoxha nuk kishte asnjë rol në themelimin e PKSH-së dhe si kryetar i asaj partie ishte zgjedhur Miladin Popoviçi”. Duke sjellë raporte të misioneve britanike në Shqipëri, Erald Kapri hedh edhe më tepër dritë mbi ndikimin që të dërguarit e Titos patën mbi PKSHnë, duke qenë drejtuesit realë të saj.

Ndikimi i jugosllavëve në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri ka qenë thelbësor e madje mund të cilësohen si organizatorët dhe ideatorët e lëvizjes komuniste shqiptare. Përtej dokumentacionit shqiptar, dëshmive të shumta, një ndihmë e vyer është edhe Arkivi Britanik, i cili ka një volum të madh dokumentacioni për Lëvizjen Komuniste në Shqipëri.

Debati për procesverbalin e themelimit të Partisë Komuniste në Shqipëri, i hapur nga Spartak Ngjela mbi një dëshmi të Zef Malës, është një rrethanë, e cila do të nxirrte në dritë një fakt thelbësor mbi rolin e Jugosllavëve (në fakt të Serbisë) në ndërhyrjen në punët e brendshme të Shqipërisë.

Por përtej kësaj rrethane dhe fakti, faktet e tjera kanë qenë mjaft të bollshme për të pasur një përfundim analitik se Partia Komuniste në Shqipëri ishte krijesa më e suksesshme e jugosllavëve në Shqipëri. Spartak Ngjela përmendi një detaj në Opinion.

Ai pretendon edhe për një bisedë të Bedri Spahiut me Miladin Popoviçin në Itali gjatë kohës së luftës. Në fakt kjo është më se e vërtetë. Bedri Spahiu dhe Miladin Popoviçi janë takuar në Bari. Në gusht të vitit 1944, ende pa mbaruar lufta, Komanda Ushtarake e Britanikëve dhe Amerikane për Ballkanin kishin thirrur në Bari përfaqësues ushtarakë nga të gjithë vendet e Ballkanit. Nga LANÇ-i morën pjesë Bedri Spahiu, Ramadan Çitaku dhe Frederik Nosi, të cilët nënshkruan një marrëveshje mjaft të rëndësishme për frontin e tyre politik.

Falë kësaj marrëveshjeje, de facto dhe de jure aleatët perëndimorë kishin njohur ushtarakisht dhe politikisht Lëvizjen e Komunistëve. Por ky takim nuk është asgjë më shumë se një rrethanë shtesë, e cila të sugjeron rolin prej lideri të lëvizjes komuniste shqiptare nga Miladin Popoviçi. Në fakt, qëndrimi në Bari i Bedri Spahiut është mjaft i dokumentuar nga britanikët dhe marrëveshjen e nënshkruar atje. Britanikët njihnin lëvizjen komuniste në Shqipëri duke i dhënë mbështetje materiale, por nuk ranë dakord të njohin qeverinë provizore të Enver Hoxhës.

Bedri Spahiu, Ramadan Citani e Frederik Nosi në BariNë dokumentacionin voluminoz britanik, Miladin Popoviçi nuk është konspiracion, por një realitet që merrte vendimet, sigurisht përmes Enver Hoxhës. Raportet e oficerëve britanikë të ndërlidhjes kanë raportuar shpesh gjatë luftës për ndikimin e Popoviçit në lëvizjen shqiptare. Britanikët raportuan që herët që dy të dërguarit jugosllavë Popoviç dhe Mugosha themeluan Partinë Komuniste Shqiptare. Një detaj tjetër është edhe afërsia e madhe me Enver Hoxhën.

Major Smith, në një raport të detajuar mbi aktivitetin e tij në Shqipëri, përmend disa detaje interesante gjatë mësymjes gjermane në qershor të 1944. Ai thotë se në disa momente të vështira kur u duhej të tërhiqeshin, Miladini dhe Enveri nuk ndaheshin nga njëri-tjetri.

Por majori britanik përmend faktin që Popoviçi ishte shumë mosbesues ndaj britanikëve duke ndërhyrë në vendime të rëndësishme ushtarake. “Ali Aliu (Miladin Popoviç): Një person misterioz i njohur me shumë emra dhe është padyshim përfaqësues i lëvizjes jugosllave në Shqipëri.

Mund të jetë ekstremist pengues, është i fortë dhe pa takt. Tipi më acarues. Nuk besoj se ky ndërlidhës me jugosllavët është i mirë”, shkruan në raportin e tij majori britanik. Për oficerët britanikë, Popoviçi nënvizohet gjithnjë si një individ i rëndësishëm e madje me emra të ndryshëm. Shumë pak e dinin emrin e tij të vërtetë dhe disa e njihnin si Ali Aliu, disa si Ali Peja, disa si Ali Dushanoviçi apo edhe si Ali Gostivari. Në një raport tjetër, dy oficerët britanikë Piter Kemp dhe Xhorxh Sejmor tregojnë edhe për një incident të ndodhur në shtabin e tyre.

Miladin Popoviç, Dushan Mugosha e Enver HoxhaAta raportuan se Miladin Popoviçi sillet si lider i lëvizjes, duke u kërkuar llogari për punën e tyre. “Na ndodhi edhe një incident i turpshëm në fillim të tetorit kur ishim vendosur në Arbonë së bashku me Majorin Seymour. Ali Gostivari (Miladin Popoviçi) së bashku me një anëtar tjetër të Komitetit Qendror të LANÇ na vizitoi në shtabin tonë pa na thënë asnjë fjalë. Ata u vendosën pranë Smithit, Roberts dhe Hillit dhe ata mendonin se kishin marrë lejen te ne dhe situata u bë paksa e vështirë, nisur nga fakti se çfarë rëndësie kishin ata mes partizanëve.

Ata qëndruan dy ditë dhe lexuan dokumentet tona megjithëse ato ishin të koduara, ndërhynë në transmetimin me radio të operatorit tonë dhe na flisnin për politikë dhe komunizmin derisa Smithi na u përgjërua që ta largonim që aty. Mbasi treguam për këto, Majori Seymour thirri në një takim Myslym Pezën dhe iu ankua ashpër për këto ndodhi.

Myslymi u tërbua dhe e ndaloi Gostivarin (Popoviçin), i cili më pas erdhi sërish duke na lënë të kuptuar dhe të na bindte se vizita e tij ishte sa për të na parë dhe se qëndroi pasi ne gjoja ia kërkuam të rrinte.

Sa për diskutimet politike ai tha se kishte diskutuar vetëm për ato që ka thënë Kryeministri Çurçill dhe se nuk foli fare për komunizmin, një histori që ne s’mund ta besonim. Kjo tregoi qartë karakterin e këtij personi, Ali Gostivari.

Më vonë ai ndërroi edhe emrin duke e bërë Dushanoviç. Ai është përfaqësuesi i Titos te partizanët dhe tregoi që është një intrigant i rrezikshëm dhe shumë antibritanik”, raportoi Majori Kemp në Ministrinë e Luftës në Londër. Në kultin e operacionit të dimrit më 9 janar 1994, Ministria e Jashtme Britanike, e shqetësuar edhe nga rivaliteti dhe përplasjet civile në Shqipëri, bën si përgjegjës kryesor Miladin Popoviçin.

“Nxitësit dhe autorët e Luftës Civile në Shqipëri janë gjetur. Siç ishte theksuar në përmbledhjen dyjavore të fundit, bëhet fjalë për një të huaj, komunist dhe serb. Ai është Ali Dushanoviçi nga Peja e Kosovës, i cili njihet rëndom në Jug nga partizanët si Aliu nga Peja”, thuhet në dokumentin e ministrisë britanike. Ndikimi i fortë i jugosllavëve u rrit më tej edhe me largimin e Miladin Popoviçit. Në Shqipëri erdhi një përfaqësues më i lartë i Titos, Koloneli Velimier Stojniç, i cili mbajti edhe një fjalim në Kongresin e Beratit në fillim të tetorit kur komunistët morën kontrollin e qytetit dhe vendosën të shpallin qeverinë provizore të tyre.

Spahiu dhe Citaku në një xhip amerikan gjatë qëndrimit në BariMajorët britanikët të pranishëm në Berat si Smithi dhe më vonë Lyon raportojnë për një afërsi të madhe të Enver Hoxhës me të preferuarin e Titos. Në Berat tashmë kishte ardhur edhe përfaqësuesi politik dhe ushtarak i Stalinit, Majori Ivanov. Ushtaraku Britanik Lyen tregon se gjatë qëndrimit për rreth 7 javë në Berat, Hoxha kalonte net të gjata me miqtë sllavë duke darkuar së bashku.

Kjo Konferencë e Beratit është e fotografuar nga britanikët e në të duken aktivët e lëvizjes komuniste si: Koço Tashko, Ollga Plumbi, Myslim Peza, Koçi Xoxe, Baba Faja Martaneshi, Medar Shtylla, Nako Spiro etj.

Tashmë është i njohur edhe Plenumi i Beratit vetëm pak ditë pas çlirimit të vendit, ku Enver Hoxha pranon rolin prej lideri të Popoviçit, sidomos në linjën terroriste të eliminimit të kundërshtarëve brenda lëvizjes. Raportimet gjatë luftës së britanikëve janë thelbësore për të kuptuar zhvillimet në Shqipëri e në veçanti në lëvizjen komuniste shqiptare.

Mbi 40 oficerë britanikë ndoqën nga afër luftën dhe pjesa më e madhe e tyre pati kontakt të drejtpërdrejtë me Enver Hoxh ën dhe Miladinin Popoviçin. Ky dokumentacion është ende i pa interpretuar siç duhet mbi arsyet e triumfit të komunistëve në Shqipëri e në veçanti të ndikimit jugosllav në marrjen e plotë të kontrollit të vendit pas luftës./Panorama