Kusari-Lila premton mbështetje për sportistët

14.11.2017 20:10
Kusari-Lila premton mbështetje për sportistët

Në ditën e dytë të fushatës elektorale, kandidatja për kryetare, Mimoza Kusari Lila, ka pasur një takim edhe me sportistët gjakovar ku bashkërisht kanë biseduar rreth planeve dhe të arriturave në fushën e sportit. Mimoza Kusari Lila në këtë takim ka theksuar se përgjatë këtyre katër viteve kemi pasur një rikthim të aktiviteteve të klubeve sportive.

Ajo ka rikujtuar që gjatë mandatit të parë edhe përkundër sfidave të mëdha ka arritur që të jap mbështetje mjaft të madhe për sportin përmes subvencioneve e cila për herë të parë në Gjakovë është bërë në mënyrë të hapur dhe transparente.

“Sporti ka qenë dhe mbetet një ndër fokuset kryesore në programin tonë qeverisës, ne gjatë mandatit të parë  në Gjakovë kemi investuar në 9 terrene të reja sportive ndërsa planifikojmë që gjatë katër viteve të ardhshme të investojmë edhe në 20 terrene të reja”.

Ajo ka shtuar se tashmë klubet sportive të komunës së Gjakovës marrin pjesë në ligat Evropiane dhe Ndërkombëtare dhe përpos mundësive të kufizuara të Komunës  duhet të ketë mbështetjen edhe nga Ministria e Kulturës Rinis dhe Sportit.

Kusari Lila është zotuar që për mandatin e dytë qeverisës do të ketë përkushtim për ngritjen e subvencioneve të sportit të cilat do të jenë gjithnjë të hapura dhe transparente për të gjithë.