Kusari-Lila: LDK ndryshoi qëndrim në çastet e fundit

Kusari-Lila: LDK ndryshoi qëndrim në çastet e fundit

Deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe kandidatja nga ‘Alternativa’ për kryetare të Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se koalicioni LAA ka pasur Marrëveshje-Diskutim, për koordinim të mbështetjes së kandidaturave për zgjedhjet komunale të 22 tetorit, mirëpo në momentin e fundit LDK ka vepruar si subjekt.

Në intervistë për emisionin ‘Alo Mirëmëngjesi’ të Radio Dukagjinit, Kusari-Lila ka rikonfirmuar deklarimet e bashkëpartiakut të saj, Ilir Deda, se me LDK-në kanë pasur biseda për koordinim të mbështetjes së kandidaturave të përbashkëta, por që në moment të fundit kanë vepruar ndryshe.

“Është e vërtetë që ne me LDK-në kemi pasur një bisedë. Të gjithë kemi qenë të vetëdijshëm që afatet për koalicione parazgjedhore për koalicione për zgjedhjet lokale kanë kaluar derisa ne kemi qenë duke u marrë me atë se çfarë po ndodhë në Parlament, porse kemi pasur një Marrëveshje-Diskutim që të kemi të paktën kandidatura të përbashkëta”, ka thënë Kusari-Lila.

Ajo ka thënë se LDK-ja në momentet e fundit e vendosi kandidatin e saj për kryetar të Gjakovës.

“Përderisa këto (Marrëveshje) nuk u finalizuan, në fakt shkuan edhe më larg. Shembull, në Gjakovë, LDK-ja që insistonte të kemi një kandidat të përbashkët, në fakt të mbështeste kandidaturën time, pastaj, në momentin e fundit e vënë një kandidat tjetër”, ka shtuar më tej ajo.

Edhe me AKR-në kishin pasur biseda të tilla, por që, sipas saj, nuk u arrit të finalizohet asgjë.

“Edhe me AKR-në ka pasur diskutime por që nuk ka pasur finalizim deri në fund, por që në fund u tregua prapëseprapë se partitë e bëjnë atë që është në interes të vetin, por secili veprimet t’i mbajë në ndërgjegje dhe të shohim se cili do të jetë rezultati i zgjedhjeve lokale”, tha kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila.

Kusari- Lila duke folur për emisionin ‘Alo Mirëmëngjesi’ të Radio Dukagjinit, ka thënë se të tilla veprime nuk e rrezikojnë garën e saj për Gjakovën porse e dëmtojnë kredibilitetin e bashkëpunimit.

“Për ne ky veprim nuk e konsiderojmë se na rrezikon aspak, porse dëmton kredibilitetin e bashkëpunimit”, ka shtuar ajo.

Mimoza Kusari-Lila në këtë intervistë ka folur edhe për numrin e vogël të kandidateve femra për kryetare të komunave në këto zgjedhje.

Ajo i ka ftuar gratë për më shumë guxim, ndërsa liderët e subjekteve politike i ka porositur që t’u japin më tepër hapësirë.