Kurti tregon arsyen pse Lista Serbe ka insistuar në Ministrinë e Bujqësisë

Teksa ka cekur planet e realizuara nga ish-politikani serb Vaso Çubrrilloviq, i cili përmes bujqësisë kishte projektuar largimin e shqiptarëve dhe kolonizimin e Kosovës nga Serbia, Albin Kurti është shprehur se qeveria Haradinaj i ka dhënë një mundësi tjetër të ngjashme shtetit të Serbisë. 

Kurti tregon arsyen pse Lista Serbe ka insistuar në Ministrinë e Bujqësisë

Albin Kurti ka kritikuar ashpër qeverinë e formuar nga Ramush Haradinaj, për lënien e Ministrisë së Bujqësisë në duart e Listës Serbe. Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se përmes këtij veprimi, i ka dhënë mundësinë Serbisë që t’i fuqizojë projektet për kolonizimin dhe ndarjen e brendshme të Kosovës.

Në fjalimin e mbajtur sot në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, Kurti ka tërhequr një paralele mes dhënies së Ministrisë së Bujqësisë për Listën Serbe dhe projekteve të ish-ministrit të Bujqësisë në ish-jugosllavi, Vaso Çubrrilloviqit.

“Dhënia e ministrisë së Bujqësisë është esenca e pazarit me Serbinë për qeverinë e Kosovës”, është shprehur Kurti.

Teksa ka cekur planet e realizuara nga ish-politikani serb, i cili përmes bujqësisë kishte projektuar largimin e shqiptarëve dhe kolonizimin e Kosovës nga Serbia, Albin Kurti është shprehur se qeveria Haradinaj i ka dhënë një mundësi tjetër të ngjashme shtetit të Serbisë.

“Me këtë plan që kanë bërë, i kanë dhënë mundësi të mirë Serbisë t’i realizoj planet e saj, që t’i fuqizojë projektet për kolonizim e ndarje të brendshme të Kosovës, projektet për bosnjëzimin e Kosovës”, ka deklaruar Kurti.

Deputeti i VV-së ka shtuar se “në derexhen ku e kanë pru Kosovën, përmes kushtëzimeve që i kanë vendosur në Kushtetutë e në ligje të tjera, Kosova gjithnjë e më shumë, tash, po e humbet pavarësinë e po shkon drejt autonomisë.”

“Në vitin 1945, a e dini ç’ndodhi me Çubrilloviqin? Ai u bë ministër i bujqësisë në Jugosllavi. I bujqësisë, sepse shqiptarët ishin në masë të madhe bujq, e se Kosova ishte vend bujqësor, siç ende është. Nuk kishte mënyrë më të mirë për t’i realizuar idetë e tij, se sa si ministër i bujqësisë”, deklaroi Kurti.

Ai ka thënë se “historikisht e botërisht, ka një lidhje thelbësore mes politikave kolonizuese dhe atyre bujqësore. Kolonizimi kudo që ka ndodhur, ka qenë kolonizim së pari agrar, e vetëm në plan të dytë ushtarak, tregtar, industrial etj.”

 

Kurti i ka quajtur hipokritë liderët e koalicionit PDK-AAK-NISMA, të cilët gjatë fushatës zgjedhore premtonin investime të mëdha në sektorin e bujqësisë.

“Hipokrizia më e madhe është se e gjithë kjo qeveri, që u bë qeveri e sekserëve, në fushatë patën thënë se do t’i marrin votat e fermerëve e të bujqëve. Të gjithë këta kanë premtuar fonde pa fund për bujqësinë. E, tani bujqësinë ia dorëzuan Listës Serbe. Turp duhet t’ju vijë!”, deklaroi Kurti. /Insajderi.com