Kurti shpalosë planin për seancën e 24 gushtit: Do ta zgjedhim një kandidat tonin

Kurti shpalosë planin për seancën e 24 gushtit: Do ta zgjedhim një kandidat tonin

I nominuari i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti, ka thënë se koalicioni PAN është duke bërë tallje arrogante duke mos nominuar një kandidat për kryetar të Kuvendit, dhe në rrethana të tilla, përfaqësuesit e tjerë të qytetarëve të Kosovës nuk mund të vazhdojnë të reagojnë pasivisht në këtë situatë.

Në një shkrim në Facebook, të cilën Kurti e ka titulluar “Si të dalim nga bllokimi”, ai thotë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2014,  që ia jep të drejtën ekskluzive grupit më të madh parlamentar të ketë kryetarin e Kuvendit, është i gabuar.

“Gjykata është e varur nga Kushtetuta, dhe jo Kushtetuta nga Gjykata, andaj interpretimet e saj mund të përmbysen gjithnjë. Pikërisht kështu në secilin vend të botës jurisprudenca evoluon dhe korrigjon gabimet e të shkuarës. Sidomos në një rast kaq të rëndë sa ky i yni, përfaqësuesit e Kuvendit të Kosovës kanë detyrën, e jo thjesht të drejtën, që të mos e marrin parasysh atë interpretim të gabuar dhe të ndjekin kuptimin e vërtetë të Kushtetutës”, shkruan Kurti.

Në këtë kontekst, Kurti ka propozuar që kur të mblidhet Kuvendi më 24 gusht, një shumicë e anëtarëve të tij mund të mblidhen e së bashku të propozojnë një kandidat për pozicionin e Kryetarit të Kuvendit e më pas ta zgjedhin atë person me votat e tyre.

“Kjo është ajo çka planifikon të bëjë Lëvizja Vetëvendosje,” shkruan Kurti.

“Sigurisht, të tjerët mund të mos pajtohen me këtë. Ata do të kenë mundësi ta çojnë këtë çështje para Gjykatës Kushtetuese, e ne do t´i bindemi asaj. As që mund ta paramendojmë se Gjykata Kushtetuese do të mund të miratojë bllokimin e qëllimshëm që PAN po i bën institucioneve”, ka sqaruar ai.

Ai ka ftuar edhe partitë tjera që t’i bashkohen kësaj nisme të Vetëvendosjes.

“Së këndejmi, Lëvizja Vetëvendosje i propozon të gjitha partive politike që udhëhiqen prej interesit publik dhe që synojnë ta mbrojnë e jo ta dëmtojnë demokracinë e Kosovës, që të na bashkëngjiten në këtë nismë”, shkruan Kurti.

“Në atë datë, nëse PAN e bojkoton seancën apo nëse refuzon të paraqesë kandidatin e saj, atëherë ne do të votojmë tonin. E nëse PAN do ta paraqesë një kandidat, atëherë secili subjekt e deputet do të bëjë zgjedhjen e vet (sepse nisma që ne propozojmë në radhë të parë ka për synim tejkalimin e këtij bllokimi). Nëse kandidati i paraqitur nga PAN nuk do të marrë votat e duhura, atëherë kandidati i përbashkët do të mund të votohet në të njëjtën seancë,” shkruan Kurti.

Ai thotë se partia e tij është e hapur “për çdo propozim sa i përket kandidatit për Kryetar të Kuvendit.”

“Ne mendojmë se ai person duhet të zgjedhet në mes të deputetëve më të respektuar e sa më pak të anshëm, sepse duhet të garantojë të gjitha palët se do të performojë në atë funksion të rëndësishëm pa mbajtur anë, duke i dërguar një sinjal qytetarëve tanë se politika në Kosovë ka filluar të ndryshojë,” thotë Kurti.

“Zgjedhjet bëhen për Kuvend që funksionon dhe jo që bllokon veten dhe gjithë Republikën. Pala që nuk shfrytëzon të drejtën e saj e humb atë. Edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës ia njeh Presidentit të drejtën për ta thirrë seancën e parë të Kuvendit të Kosovës, por në rastin kur Presidenti dështon të shfrytëzojë këtë të drejtë, neni 66.3, thotë që Kuvendi mblidhet pa pjesëmarrjen e Presidentit.”

“Kur të marrë fund ky bllokim dhe kur të arrijmë të zgjedhim si Kryetar Kuvendi një deputet nga ata të nderuarit, atëherë do të mund të vazhdojmë me çështjen e radhës, që do të jetë formimi i qeverisë.”