Kurti për dekorimin e Baton Haxhiut nga Thaçi: Nga shërbëtor në djalosh me dekoratë

Kurti për dekorimin e Baton Haxhiut nga Thaçi: Nga shërbëtor në djalosh me dekoratë

Anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosjes, Tinka Kurti ka kritikuar dekorimin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi ndaj Baton Haxhiut me Medaljen Presidenciale Jubilare të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë.

Ajo ka thënë se nuk e ka kuptuar ‘kurorëzimin’ e Haxhiut me medaljen, por që sipas saj dihet mirë punët që Haxhiu i kryen për Thaçin.

“Nga shërbëtor në djalosh me dekoratë. Sa më shumë që presidenti i Kosovës të kufizohet në rolin e tij do të ishte më mirë për Kosovën. Nuk do të ishte ide e keqe që ai të reduktohej në ndarës dekoratash por as këtu nuk është treguar i suksesshëm duke marrë parasysh sa shumë të tilla i janë refuzuar atij. Por sot, një person e pranoi me kënaqësi një medalje e cila nuk kuptohet qartë se pse iu nda. Thaçi e kurorëzoi sot Baton Haxhiun me medalje presidenciale në emër të kontributit të tij gjatë luftës. Derisa ky kontribut për ne mbetet i panjohur i njohim shumë mirë detyrat që i kryen Batoni për Thaçin”, ka shkruar ajo në llogarinë e saj në Facebook.

Kurti më tej ka shkruar se “pushteti i fsheh me fanatizëm shërbyesit e tij, por Thaçi paska vendosur që ta zyrtarizojë në mënyrë transparente këtë shërbim”

“Zakonisht pushteti i fsheh me fanatizëm shërbyesit e tij, por Thaçi paska vendosur që ta zyrtarizojë në mënyrë transparente këtë shërbim. Kështu e kërkon edhe natyra e punës së agjentëve, por meqë Haxhiu po e bën tash e sa kohë mbrojtjen e shërbimin haptas për PDK-në atëherë edhe Thaçi po ia kthen këtë nder në formë krejt transparente, para kamerash”.

“Gazetarët nuk do të duhej të pranonin medalje nga një president i tillë siç është Thaçi, por meqë e ka filluar, ne e inkurajojmë Hashim Thaçin që të dekorojë edhe të tjerë dhe kështu na e bën edhe më të qartë se cilët janë oborrtarët e tij”, ka shkruar ajo.