Kurti: PAN-i po synon t’ia vjedhë deputetët LDK-së dhe AKR-së

Kurti: PAN-i po synon t’ia vjedhë deputetët LDK-së dhe AKR-së

Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se koalicioni PDK-AAK-NISMA po synon që t’ia vjedhë disa deputetë koalicionit LDK-AKR.

Përmes një shkrimi të publikuar në Facebook, Kurti ka deklaruar se përveç synimeve për t’ia vjedhë deputetët LDK-së dhe AKR-së, koalicioni PAN do ta lusë edhe Vuçiqin për të formuar qeverinë.

“Koalicioni PAN po synon që t’ia vjedhë LDK-së ose AKR-së ndonjë deputet dhe pastaj ta lusë Vuçiqin në Beograd për ta formuar qeverinë në Kosovë! Kjo është rrugë e gabueshme me pasoja tejet të dëmshme”, ka thënë Kurti.

Sipas Kurtit, Republika nuk jepet për poste politike. Ai ka thënë se vullneti i votuesve të Kosovës ishte që PDK-ja të dalë në opozitë, prandaj ka kërkuar që ky vullnet të mos deformohet.

“Qytetarët kanë guxuar. Ata kanë votuar që PDK-ja të shkojë në opozitë. Tash, njerëzit kanë shpresë. Nuk është mirë që dikush të përpiqet ta deformojë vullnetin e qytetarëve dhe ta shpëtojë PDK-në, përkatësisht udhëheqjen e PDK-së”, ka thënë Kurti.

Themeluesi i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidati për kryeministër nga kjo parti, deklaroi se zgjedhjet e 11 qershorit shënuan rënien e të gjitha partive të tjera. Kurti ka folur për një “fitore të madhe” të VV-së në këto zgjedhje parlamentare.

“Koalicionet parazgjedhore u formuan në mënyrë që të maskohej rënia e të gjitha partive në Kosovë. Mirëpo, zgjedhjet e 11 qershorit i demaskuan ato duke e bërë Lëvizjen VETËVENDOSJE! fituese, përkatësisht partinë më të madhe në vend, partinë e parë në Kosovë”, ka deklaruar ai. /Insajderi.com