Albin Kurti dhe Visar Ymeri mbajnë takim në Tiranë

Kurti nga Tirana paralajmëron luftë për mbrojtje kufiri

20.09.2016 20:22
Kurti nga Tirana paralajmëron luftë për mbrojtje kufiri

Ish-lideri i VV-së, Albin Kurti ka shfrytëzuar një takim në kryeqytetin shqiptar, për të dhënë parashikimin e tij se nëse situata e njëjtë e demarkacionit me Malin e Zi vazhdon, në Kosovë mund të ketë luftë.

“Kufiri është çështje e ndarjes së territorit. Nuk kemi tokë për të falur. Në atë tokë është derdhur gjak dhe ne s’kemi gjak për të falur. Thaçi dhe Mustafa të japin dorëheqjen. Në 4-5 vitet e ardhshme ka gjasa të ketë përsëri luftë”, citohet të ketë thënë Kurti, raporton syri.net.

Kurti bashkë me liderin e VV-së, Visar Ymeri kanë mbajtur sot një takim në Tiranë, në Sallën UNESCO në Muzeun Kombëtar, ku ka folur për çështjen e demarkacionit me Malin e Zi.

Përpos me Malin e Zi, Kosova, çështjen e kufirit e ka të pambyllur edhe me Serbinë. Me Shqipërinë dhe Maqedoninë çështja e demarkacionit ka përfunduar.

Duke iu referuar demarkacionit me Malin e Zi, ka deklaruar se shtyrja e këtij vendimi nga ana e qeverisë së Kosovës i ka shpëtuar vendit 8 mijë e 200 hektarë tokë.

“Më datën 1 shtator është arritur një sukses i madh, pasi kemi shpëtuar 8.200 hektarë. Nuk mund të kesh kufi pa pasur territor”, citohet të ketë thënë Kurti në Tiranë.

Sipas tij, me marrëveshjen e Thaçit e Mustafës, Kosova ka një kufi të ri e jo demarkacion.

Kurti ka thënë se Mali i Zi ka plane me atë territor.

“Mali i Zi e ka dashur Qafën e Kaçorrit dhe dëshiron të vijë edhe më thellë për planet e tij. Marrëveshja me Malin e Zi është një marrëveshje kapitulluese për Kosovën. Falënderojmë qytetarët për protestat. Kemi arritur ta zmbrapsim koalicionin qeverisës. Shteti i Kosovës vazhdon të jetë në azil”, ka thënë Kurti./Insajderi