Kurti: Nëse Thaçi e ka seriozisht, ne do ta mbështesim për ushtrinë

17.03.2017 17:58
Kurti: Nëse Thaçi e ka seriozisht, ne do ta mbështesim për ushtrinë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti rrallëherë është deklaruar për transformimin e FSK-së në Ushtri dhe nevojën që Kosova ta ketë atë.

Ndërkaq, po për këtë çështje, ai në një bashkëbisedim me publikun, të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës ka pranuar se subjekti i tyre është pro krijimit të ushtrisë.

Ai në këtë bashkëbisedim u shpreh i bindur se nuk ka alternativë tjetër përpos themelimit të ushtrisë, por Kosova siç tha ai, duhet të ruaj partneritetin e saj me NATO-n dhe miqtë ndërkombëtar.

“Natyrisht që kjo do të mund të bëhej me Kushtetutë, por për faktin që ndryshimet kushtetuese janë tejet të vështira aktualisht, ajo duhet të bëhet me ligj. Ne kemi nevojë për një projektligj, i cili Forcën e Sigurisë së Kosovës e bën ushtri”, tha Kurti.

Deputeti i partisë më të madhe opozitare në vend shprehu edhe dyshimet  e tij nëse iniciativa e Thaçit ishte e sinqertë.

“Natyrisht që ne kemi edhe dyshimet tona nëse iniciuesi i ligjit, pra Thaçi, e ka seriozisht dhe sinqerisht këtë nismë dhe nëse me këtë projektligj bëhet me të vërtetë ushtria. Por, ne do ta amandametojmë këtë projektligj në mënyrë që ta kemi një ushtri të vërtetë”, ka theksuar Kurti.

Forca e Sigurisë së Kosovës u themelua në vitin 2009, në bazë të Planit të Ahtisaarit, dokument që çoi drejt pavarësimit të Kosovës, shkruan Express.

Tri vite më parë, FSK përmbushi kapacitetet operacionale. Autoritetet në vend më pas nisën procesin e rishikimit të sektorit të sigurisë duke kërkuar transforimin e kësaj forcë në një proces që do të çonte drejt krijimit të ushtrisë.

Por, ky shndërrim, duhej të bëhej me ndryshimet kushtetuese që kërkojnë dy të tretat e deputetëve përfshirë dhe dy të tretat e deputetëve të pakicave. Por, kundërshtimi i deputetëve serbë të mbështetur nga Beogradi zyrtar ka penguar procesin e ndryshimeve kushtetuese.

Andaj si zgjidhje alternative, institucionet e Kosovës po provojnë që ky transforim të ndodhë përmes ligjit për FSK-në.