Kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka mbajtur fjalim në një tubim në Gjakovë, ku ka thënë se me 11 qershor, do të fitojë Vetëvendosje, dhe kjo fitore do ta shpëtojë popullin.
Kurti ka krahasuar politikanët e pushtetet e kaluara me telenovelat, në të cilat secili martohet me secilin, për t’iu bërë mënzyrë të tjerëve. Por, duke e vazhduar krahasimin, ka thënë se këto martesa e kjo telenovelë do ndërpritet me fitoren e Vetëvendosjes.
“Me votën tuaj do e hapin rrugën për qeverinë e re të Lëvizjes sonë. Me 11 qershor mund t’i humbisni 15 minuta, por do t’i fitoni katër vjet qeverisje me mirëqenie e begati. Me 11 qershor fiton Vetëvendosja, shpëton populli”, ka pohuar Kurti.
“Milionerët e koalicioneve nuk e njohin as luftën e UÇK-së. Edhe në deklaratën e pavarësisë nuk e kanë përmendur, pra e kanë mohuar. Partitë e tjera ju kanë zhgënjyer, sepse ju kanë gënjyer, Vetëvendosje kurrë nuk do t’ju zhgënjejë, sepse kurrë nuk do t’ju gënjejë”, ka thënë ai.
Kurti ka shtuar se me qeverisjen e Vetëvendosjes shteti do të jetë më i fuqishëm se pushteti, pasi në të kaluarën pushteti ishte më i fuqishëm sesa shteti.
“Për këtë qëllim tonin të përbashkët”, Kurti tha se qytetarët do ta punësojnë një qeveri të Vetëvendosjes, e cila nuk punëson sipas mbiemrit, por sipas kualiteteve të personave.