Kurti: Më 27 shkurt do të ndryshojë gjithçka

19.02.2016 16:54

Ish-lideri i Vetëvendosje, Albin Kurti, në një intervistë për Insajderin ka deklaruar se regjimi Mustafa-Thaçi do të përfundojnë ngjashëm si Zajdenica. Ka thënë se kjo qeveri po përdor metoda fashiste për të frikësuar opozitën dhe se deri më tash kanë kryer shtatëmbëdhjetë burgosje politike.

Kurti: Më 27 shkurt do të ndryshojë gjithçka

Albin Kurti, deputet i Vetëvendosje, ka paralajmëruar se tash e tutje protestat do të jenë më të shpeshta  dhe se nuk do të ndalen deri në dorëheqjen e Qeverisë.

[iframe id=”https://www.youtube.com/embed/4G-oASAO1X0″]

“Protesta e radhës do të mbahet ashtu siç është paralajmëruar do të jetë të shtunën e 27 shkurtit dhe më pastaj ajo do të jetë praktikisht protestë e vazhdueshme. Nuk do të jetë as një herë në jave e as një herë në muaj, por më shpesh”, ka thënë Kurti për Insajderin.

Kurti ka shtuar se protestat janë duke pasur efekt tek qeveritarët ndonëse ata nuk e pranojnë një gjë të tillë.

“Deri më tash protestat kanë dhënë shumë rezultate. Adresimi i presidentes në Gjykatën Kushtetuese për Zajednicën nuk do të ndodhte pa protestat e opozitës. Dhe jam i bindur se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese nuk do të ishte i tillë pa protestat tona”, ka thënë tutje Kurti

Ndërkaq, i pyetur se pse e konsiderojnë qeverinë aktuale si një regjim, Kurti ka thënë se qeveria është shndërruar në një shtet policor dhe po përdor metoda fashiste.

“Po e quajmë regjim sepse po e shohim se po përdor taktika të shtetit policor dhe metoda të fashizmit. Deputetët e opozitës po arrestohen ose në orët e vona të natës ose në orët e hershme të mëngjesit. Ne e kemi 11 të burgosur politik, aktivist e deputet. Sekretari organizativ edhe zëdhënësi e VV-së, njëkohësisht edhe kryetarin e grupit tonë parlamentar e kemi në burg, përveç kësaj kemi edhe gjashtë deputetë të tjerë që u arrestuan”, ka thënë Kurti.

Ka shtuar se numri i të burgosurve politik ka arritur në shtatëmbëdhjetë.

“ Mirëpo pas datës 27 shkurt gjithçka do të ndryshojë sepse në skenën politike kosovare do të kthehet burimi i sovranitetit populli i Kosovës”, ka deklaruar Kurti.

Në fund Kurti ka thënë se ashtu si edhe fundi i Zajednicës do t’i  vijë fundi edhe qeverisë, meqenëse këta e kanë lidhur fatin e tyre me Zajednicën.

“Praktikisht Mustafa e Thaçi po dëshirojnë të na thonë, more ju edhe nëse i keni një milionë e gjysmë qytetarë me veti, ne i kemi 8 mijë policë dhe nuk e çajmë kokën për asgjë. Këta njerëz nuk marrin vesh sepse këta bëjnë marrëveshje me Serbinë meqenëse e kanë lidhur fatin e tyre me Zajednicën le të përfundojnë si Zajednica”, është përgjigjur Albin Kurti për Insajderin.