Kurti: Mbi Astritin është kryer krimi që prej ditës që është arrestuar

Kurti: Mbi Astritin është kryer krimi që prej ditës që është arrestuar

Para ndërtesës së Burgut të Prizrenit, aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe qytetarë të shumtë kanë kërkuar drejtësi për Astrit Deharin.

Rreth orës 15:00 kur edhe kishte vdekur aktivisti Astrit Dehari, aktivistët e vizatuan fytyrën e Astritit në muret e kësaj ndërtese famëkeqe ku vdiq  një i pafajshëm që po mbahej në paraburgim.

Deputeti dhe aktivisti i Vetëvendosjes, Albin Kurti para protestuesve foli për punën dhe përkushtimin e madh të Astritit.

“Mbi Astrit Deharin është kryer krimi prej ditës që është arrestuar dhe deri atëherë kur e humbi jetën. Në kohën kur po dështonte përfundimisht procesi i montuar politik, kundër tij, në kohën kur u pa që është e pamundur të ngrihej aktakuza, përkundër shpifjeve e fabrikimeve, ndodhi kjo tragjedi, jo vetëm për familjen Dehari e Lëvizjen VETËVENDOSJE! por për mbarë Kosovën”, tha Kurti.

Astriti nuk ishte thjesht në burg. Astriti ishte i paraburgosur, pra nuk kishte as dënim, e as aktakuzë, njofton lajmi.net.

“Është situatë tjetër atëherë kur vdes një person në vuajtje të dënimit, por është diçka krejtësisht ndryshe kur dikush vdes në paraburgim, sepse Astriti, jo vetëm moralisht e politikisht, por edhe ligjërisht e nominalisht ishte i pafajshëm”, shtoi Kurti.

Ai nuk kishte vdekur nga medikamente të tepruara siç tha komandanti i policisë për rajonin e Prizrenit Nexhmi Krasniqi.

“Ne sot nuk duhet të mërzitemi për Astritin. Ne sot duhet të mërzitemi për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se në çfarë vendi të pa sigurt e kaq shumë të rrezikuar individualisht dhe kolektivisht jetojmë ne për shkak të kësaj qeverie e të këtyre institucioneve të kapura”, tha më tej Kurti.

Astriti tërë kohën, kudo, është angazhuar për drejtësi për popullin e tash jemi ne, janë qytetarët, është populli ai që duhet të angazhohet për drejtësi për Astritin.

Në fund të fjalës së tij, Kurti tha: “Lavdi Astrit Deharit dhe të gjithë dëshmorëve, martirëve e veprimtarëve të çështjeve shoqërore e kombëtare”.