Kurti ia kujton LDK-së kohën kur iu bashkua bllokut LAN kundër PDK-së

Kurti ia kujton LDK-së kohën kur iu bashkua bllokut LAN kundër PDK-së

Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, sërish i ka bërë ftesë koalicionit LDK-AKR-Alternativa-Lëvizja për Drejtësi, që të bashkohen kundër, siç ka thënë ai, klanit ‘Pronto’.

Kurti këtë e ka lidhur me rastin e vitit 2014, duke thënë se edhe Vetëvendosje asokohe foli partia e tretë, por iu bashkua bllokut LAN për ta mundur të keqën, që ai e quan PDK.

“Le të mos harrojmë që pas zgjedhjeve të 8 qershorit 2014 ne si LV nuk ishim të kënaqur me vendin e tretë, megjithatë u bashkuam në front me koalicionin e atëhershëm LAN kundër regjimit të PDK-së dhe për ndryshimin e kursit të shtetit. Prandaj edhe sot, koalicioni i LDK-së me AKR-në, Alternativën dhe Lëvizjen për Drejtësi le të mos jenë shumë të zhgënjyer me vendin e tretë, por t’i kthehen përpjekjes për t’i dhënë fund Klanit Pronto”, ka shkruar Kurti në llogarinë e tij në Facebook.

Kurti ka thënë se edhe në elektoratin e LDK-së ka ndodhur një zgjim ku vota e tyre e theksuar për kandidatët që janë shquar me qëndrime kundër Klanit Pronto e ka dhënë porosinë e qartë se si LDK-ja duhet të përcaktohet dhe ia ka vizatuar asaj rrugën që duhet ta ndjekë.

“Kur ndokush nga zyrtarët e lartë të LDK-së thotë se duan të jenë në opozitë, ata kësisoj vetëm sa inkurajojnë disa deputetë të koalicionit të saj (të cilëve ndoshta fort vështirë u qëndrohet në opozitë) që të shkojnë te PAN-i. Nuk mendoj se ky është qëllimi i tyre por e këtillë është pasoja. Njëkohësisht, nuk është korrekte që LDK ta konsiderojë veten po aq larg nga LV-ja sa nga PDK-ja, nëse beson atë që e thotë vetë, pra se shteti i Kosovës vazhdon të jetë shtet i kapur”, ka shtuar ai.

Ai ka thënë se mbetja në opozitë e LDK-së nuk është opsion.

“Që Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) të mbetet në opozitë, ky nuk është opsion. Mbetja në opozitë e LDK-së dhe mosbashkëpunimi me LV-në, do të thotë thjesht se LDK-ja po heq dorë nga synimi për largimin e Klanit Pronto nga pushteti, e kjo dorëheqje nuk i duhet as vendit e as popullit”, ka shkruar Kurti në llogarinë e tij në Facebook.

Kurti e ka kujtuar kohën kur, edhe pse ishte partia e tretë në zgjedhjet parlamentare të 2014-s, prapë ajo iu bashkua bllokut LAN për ta larguar, siç ka thënë ai, klanin ‘Pronto’.

“Pas dy mandateve si opozitë në Kuvend dhe pas mandatit të parë të qeverisjes së drejtë e të mirë në kryeqytet, Lëvizja VETËVENDOSJE! (LV) është e gatshme të qeverisë me vendin. Përveç dijes e guximit, programit e kreativitetit, tash e kemi edhe përvojën. Natyrisht, nuk e kemi përvojën e gjatë si të partive të tjera, mirëpo kjo është përparësi për neve meqenëse qytetarët përgjithësisht kanë përvojë të hidhur me qeverisjet e pasluftës. Dhe, ishin pikërisht qytetarët ata që me 11 qershor i ndëshkuan ‘partitë me përvojë’ duke e dyfishuar VETËVENDOSJE!-n dhe duke na ngritur në partinë e parë e duke na rritur në partinë më të madhe në Kosovë. Fundja, dihet se përvoja nuk ka vlerë në vetvete – ajo ka përmbajtje, të mirë ose të keqe”, ka shtuar Kurti.

“Qytetarët e Kosovës kanë halle e nevoja enorme, të drejta të shkelura shpesh e kudo dhe perspektivë të munguar për shumicën dërrmuese. Me 11 qershor 2017 ata na e kanë dhënë edhe një shans për ta nxjerrë Kosovën nga kriza e për t’ia dhënë të mbarën Republikës. Kosova është zgjuar e qytetarët janë bashkuar. Ata janë në këmbë për ndryshime progresive. Kush do të dëshironte ta humbasim edhe një shans tjetër? Kush do të gëzohej ta shpërfillim edhe këtë mundësi shtesë?”, ka përfunduar postimin Kurti./Insajderi.com