Kurti: Haradinaj s’është kryeministri ynë, derisa i përulet Radojçiqit dhe e kërcënon Blakajn

Kurti: Haradinaj s’është kryeministri ynë, derisa i përulet Radojçiqit dhe e kërcënon Blakajn

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se Ramush Haradinaj nuk mund të jetë kryeministër i qytetarëve të Kosovës, përderisa ai i përulet Milan Radojçiqit kurse vjell vrerë ndaj Elez Blakajt.

Kurti përmes një reagimi, pas kërcënimeve të Haradinajt ndaj ish-prokurorit Elez Blakaj, ka thënë se Ramush Haradinaj nuk i don as veteranët, për shkak se sipas Kurtit, po të kishte qenë kështu, atëherë kryeministri do të punonte për rritjen e pagës minimale, luftimin e korrupsionit dhe bashkimin e Mitrovicës.

Reagimi i plotë i tij:

Ky nuk mund të jetë kryeministër yni. Të gjithë atyre që kanë pasur dilema pse iku nga Kosova prokurori Elez Blakaj, ato ua sqaroj mbrëmë në Interaktiv të KTV-së, për natë të Bajramit, kryeministri Ramush Haradinaj. Si njeriu që ka mbase pushtetin më të madh në Kosovë, ai shfryu me sharje e fyerje kundër një individi. Prokurori Blakaj kishte dhënë dorëheqje, kishte lëshuar Kosovën, dhe nuk ishte më i rrezikshëm (sic.), apo jo? Mirëpo, ja që kryeministri e quajti Blakajn me gjithë ato epitete denigruese si “hajn i pulave”, “pishpirik”, “i ikur në Bllacë a Stankovec” duke ia kontestuar kështu qenien një qytetari. Edhe unë jam çuditur pse iku prokurori Elez Blakaj, por ky kryeministër me sharjet e tij na e tregoi të gjithëve pse. Paramendojeni po të ishte fizikisht në Kosovë ish prokurori Elez Blakaj se çfarë do t’i bënte atij kryeministri Haradinaj? Ajo që i ngjau znj. Deralla me 10 qershor në Prizren ishte asgjë, sepse ajo ishte grua, siç pat shpjeguar asokohe Haradinaj. Me Elez Blakajn situata do të bëhej shumë më dramatike, në mos tragjike

E sot u bënë saktësisht gjashtë muaj nga ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi sipas Komisionit Meha. Tash gjashtë muaj kufiri i ndryshuar nuk u korrigjua siç u pat zotuar kjo qeveri me presidentin sipër që ka. Deputetët e vet ky kryeministër i pat mashtruar pikërisht me premtimin se do t’i kthejë ato 8.200 hektarë përfshirë këtu Çakorrin, Zhlepin e Bjelluhën. Thjesht, është një kryeministër mashtrues përveçse kërcënues.

Haradinaj i don veteranët e çlirimtarët? Do të bindeshim sikur për skijim në St. Moritz të Zvicrës t’i çonte fëmijët e dëshmorëve dhe veteranëve e jo të shkojë për vete atje (me para të kujt?). Do të bindeshim sikur ta orientonte ekonominë kah prodhimi që sjell fabrika dhe punësim në Dukagjin e jo privatizim abuziv e mallra të Serbisë. Do të bindeshim sikur të rriteshin paga minimale dhe ajo mesatare në Kosovë e jo të dyfishohej paga e tij dhe e shpurës së tij qeveritare. Do të bindeshim sikur të ndërmerrte hapa për bashkimin e Mitrovicës e jo t’ua jepte 1 milion euro serbëve në veri që nuk e paguajnë energjinë elektrike. Do të bindeshim sikur të emëronte bord e menaxhment profesional në Telekomin e Kosovës e jo militantë partie që s’marrin vesh nga telekomunikimet. Etj., etj.

Prandaj, jemi të bindur që ky nuk është për kryeministër. Nuk mund të kemi kurrfarë respekti për këtë kryeministër Ramush Haradinajn i cili i lëvyret me përulësi Milan Radojçiqit kurse vjell vrerë ndaj Elez Blakajt. Ky nuk mund të jetë kryeministri im.

Për fund, Kosovën në mjerim nuk e kanë hedhur hajnat e pulave por hajnat si Haradinaj, si Thaçi, e si Veseli.