Kurti: PDK dhe LDK nuk duan ta pranojnë humbjen në Prishtinë e Prizren

Kurti: PDK dhe LDK nuk duan ta pranojnë humbjen në Prishtinë e Prizren

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se Lidhja Demokratike dhe Partia Demokratike nuk duan të pranojnë humbjet e zgjedhjeve në Komunat e Prizrenit dhe Prishtinës.

Kurti ka thënë se këto dy parti dëshironin që “numërimi të mos mbaronte”.

“Kuptimi i rinumërimit ishte sabotimi i numërimit. Ankesat e LDK dhe PDK, në Prishtinë dhe në Prizren, ishin ankesa humbësish që nuk duan ta pranojnë humbjen. Donin rinumërim që të mos mbaronte numërimi i cili do të vuloste fituesit e ditur. Rinumërimi do ta ndërprente numërimin, fillimi i rinumërimit do ta përjetësonte pambarimin e numërimit, drejt rivotimit të synuar për shkak të rezultatit të padëshiruar”, ka thënë Kurti.

Kurti ka thënë se “vendimi i PZAP ishte bazuar në ato ankesa të pakta, të varfëra, e të dobëta, përmbajtësisht, logjikisht e gjuhësisht. Gjykata Supreme nuk do të mund ta pranonte këtë vendim të PZAP pa diskredituar veten e saj.”

“Gjykata Supreme nuk mbrojti Lëvizjen VETËVENDOSJE!. Madje, ajo nuk mbrojti as vetëm të drejtën dhe të vërtetën. Gjykata Supreme mbrojti vetveten. Ajo ndodhej në një situatë groteske: çfarëdo qëndrimi tjetër do ta zhvlerësonte vetë Gjykatën Supreme. Nuk ishin në pyetje vetëm e drejta dhe e vërteta por edhe vetë instanca supreme juridike për këto. Gjykata Supreme vendosi në favor të Gjykatës Supreme”, deklaroi deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje.

Kurti ka thënë se nuk do të përsëritet numërimi në dy komunat: Prizren dhe Prishtinë.

“Le të numërohen qetë e me vigjilencë votat e mbetura. Nuk do të përsëritet numërimi. Le të përsëritet festimi”, përfundoi Kurti. /Insajderi.com