Kurti: Bashkëpunimi i LDK-së me PDK-në nuk është problem i pakalueshëm për VV

Kurti: Bashkëpunimi i LDK-së me PDK-në nuk është problem i pakalueshëm për VV

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti, thotë se problemet e partisë së tij me LDK-në janë “të tejkalueshme” dhe ato lidhen kryesisht me bashkëpunimin e kësaj të fundit me PDK-në gjatë mandatit të kaluar qeverisës.

Në një intervistë për gazetën Jeta në Kosovë, Kurti tha se Vetëvendosje i mban dyert e mbyllura për PDK-në edhe në nivelin lokal, pavarësisht se ndonjë situatë mund të kërkonte koalicion pas zgjedhjeve të 22 tetorit.

“Kush është i ndershëm brenda PDK-së e ka derën e hapur tek ne, por koalicion me atë subjekt nuk do të bëjmë”, tha Kurti në intervistën e realizuar me shkrim.

“Çfarë na ndan është sigurisht historia e tyre e bashkëpunimit me PDK-në, por mendoj se kjo është e tejkalueshme nëse sot ata shfaqin vendosmëri për të ecur përpara, si dhe sinqeritet e besnikëri në bashkëpunimin me ne. Kur je i vendosur për të ecur përpara, theksohet e përbashkëta. Kur frikësohesh nga ndryshimi ose je rehat në status quo, atëherë hulumton për të gjetur dallimet”, ka thënë Kurti./Gazeta JNK