Vetëvendosje: Shteti dëshiron të manipulojë vrasjen e Astritit

Anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi ka akuzuar shtetin e Kosovës për montim të hetimeve rreth vdekjes së aktivistit të VV-së, Astrit Dehari.

Vetëvendosje: Shteti dëshiron të manipulojë vrasjen e Astritit

Në një konference të përbashkët me familjen Dehari, anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi ka thënë se shteti i Kosovës është duke tentuar manipulimin e vrasjes së Astrit Deharit.

“Ky regjim është vrastar dhe vrasjet e tilla si ajo e Astritit do t’i manipulojë në drejtime të caktuara çfarë ata duan”, ka thënë Kurteshi.

Kurteshi ka akuzuar edhe mediet për publikimin e videove të burgut apo shkrimet personale të Astrit Deharit, të cilat i kishte bërë sa ishte në burg. Ai ka thënë se kjo sjellje e medieve pengon procesin e hetimit të rastit.

E sekretari organizativ i Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj, me të filluar konferenca është shprehur se kjo është konferenca më e vështirë që ka pasur ndonjëherë.

“Unë e kam ditur që ky pushtet është kriminal dhe këtë e kam thënë disa herë, por nuk e kam ditur se është kaq i poshtër. E ky rast është përtej çdo parashikimi”, ka thënë Molliqaj.

Molliqaj ka thënë se pista e hetimit për Astrit Deharin po tentohet të merr kahje tjetër.

“Pista e kësaj pune është dika tjetër. Fakti që edhe xhirime edhe ditare edhe prova të tjera dalin në këtë mënyrë tregojnë për këtë gjë”, u shpreh ai.

Astrit Dehari vdiq të shtunën e 5 nëntorit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, në rrethana ende të pa sqaruara plotësisht. /Insajderi.com