Kur do t’ia kthejë Enver Hasani “borxhin” 70 mijë eurosh UP-së? Flet avokati i tij

Kur do t’ia kthejë Enver Hasani “borxhin” 70 mijë eurosh UP-së? Flet avokati i tij

Ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, i dënuar për korrupsion në UP, përveç 1 viti burgim me kusht, bashkë me dy të dënuarit tjerë Hakif Veliun deh Albert Rakipin, detyrohen nga Gjykata Themelore e Prishtinës t’ia kompensojë mbi 70 mijë euro dëm Universitetit “Hasan Prishtina”.

Gjykata Themelore e Prishtinës, muajin e shkuar, ka dënuar më 1 vit burgim me kusht ish-rektorin e UP-së Enver Hasani për korrupsion gjatë periudhës kur ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese drejtonte universitetin shtetëror.

Bashkë me Hasanin, sipas vendimi të gjykatës që u shpall më 18 tetor 2017, me nga gjashtë muaj burgim me kusht, për “Mashtrim në Detyrë” u dënuan edhe Hakif Veliu dhe Albert Rakipi.

Derisa Hasanit për t’i shpëtuar burgut efektiv do t’i duhet të mos kryej ndonjë vepër tjetër penale në periudhën 2 vjeçare, për Veliun dhe Rakipin gjykata vendosi që dënimin atyre tu’a zëvendësojë me 10.000 (dhjetëmijë) euro gjobë të cilën të akuzuarit janë të obliguar që ta paguajnë në afatin prej 60 ditëve pas plotfuqishmërisë së aktgjykimi.

Për më tepër, vendimi i gjykatës, i shpallur para një muaji, obligon tre të dënuarit që Univeristetit “Hasan Prishtina” t’ia kompensojnë dëmin prej 70.131,27 €, në afatin prej 90 ditëve pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Avokati i Enver Hasanit, Bajram Tmava bën sikur nuk di për një gjë të tillë.

Për më tepër, sipas tij, ai dhe klienti i tij ende nuk e kanë pranuar të shkruar aktgjykimin që Gjykata Themelore e Prishtinës e shpalli muajin që shkoi.

“Ku është vendimi. Ku është aktgjykimi. Se kam marr aktgjykimin, hala se kam me shkrim”, tha Tmava përmes telefonit, i pyetur për kompensimin që klienti i tij i dënuar për korrupsion obligohet t’ia kthejë UP-së.

Ai gjatë bisedës, ankohet për zvarritje të aktgjykimit të plotë të gjykatës.

“Për mua është shumë simptomatike arsyeja pse zhagitet prurja e aktgjykimit. Ka kaluar më shumë se një muaj dhe se kemi marrë ende në formë të shkruar”, tha Tmava për Express.

Ai tutje, tregoi se për këtë, ende nuk është ankuar në Gjykatë të Apelit për vendimin e gjykatës themelore ndaj Enver Hasanit.

Ndryshe, rreth katër vjet pas Gazeta Express ka raportuar për përfshirje në korrupsion të Enver Hasanit, që dikur veten e quante “Baba”, u konfirmuan më 18 tetor më vendim të Gjykatës Themelore të Prishtinës. Ai u dënua më një vit burgim me kusht, për mashtrim në detyrë, në cilësinë e ish-rektorit të UP-së, bashkë me ish-shef i Zyrës së Prokurimit në UP, Hakif Veliun, dhe Albert Rakipin, drejtor i Institutit për Studime Ndërkombëtare.