Kur të shkonte koka për një fjalë në gjuhën serbe

Valentin Krumov, nga Bullgaria ishte vrarë në qendër të Prishtinës për një fjalë të vetme që kishte tingëlluar si serbisht, pak minuta pasi kishte darkuar në Hotelin Iliria. Atë moment po shoqërohej nga dy gra.

Kur të shkonte koka për një fjalë në gjuhën serbe

Një fjalë në gjuhën serbe e nxjerr publikisht pas lufte në Kosovë, ka mundur të të kushtojë me jetë. Këtë fat ka pasur një punonjës i UNMIK-ut.

Fryma e urrejtjes për serbët për shkak të krimeve që Serbia kishte kryer gjatë luftës në Kosovë, duke vrarë mbi 12 mijë civilë, shumica gra e fëmijë, nuk ishte shuar as katër muaj pas luftës.

Kjo urrejtje ishte zbrazur me terë mllefin mbi një shtetas bullgar.

Valentin Krumov, nga Bullgaria ishte vrarë në qendër të Prishtinës për një fjalë të vetme që kishte tingëlluar si serbisht, pak minuta pasi kishte darkuar në Hotelin Iliria. Atë moment po shoqërohej nga dy gra.

38 vjecarin e kishin pyetur disa të rinj se sa është ora. Kur ishte përgjigjur, turma i ishte vërsulur duke e sulmuar me grushte e shqelma.

Krumov, kot ishte përpjekur të mbrohej prej sulmit. Mes turmës ishte dëgjuar një e shtënë nga arma e zjarrit. Krumov kishte mbetur i vdekur në vend. Ai ishte vrarë në rrugën Nëna Terezë në Prishtinë pak metra larg kinemasë ABC.

Gazeta Insajderi sjell një fotografi të momentit të sulmit mbi punonjësin e UNMIK-ut që kishte ndodhur më 13 tetor 1999.

“Komuniteti ndërkombëtar në Kosovë është shokuar dje pas linçimit brutal dhe vrasjes së punonjësit të Kombeve të Bashkuara në një rrugë të mbushur plot njerëz në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, si kujtesë trishtuese e tensionit të urrejtjes etinike e cila vazhdon ta dëmton provincën jugore serbe”, raportonte gazeta britanike Guardian.

Ai kishte mbërritur nga New York-u, në Prishtinë për të punuar në administratën e përkohshme të OKB-së në Kosovë UNMIK, katër ditë para vrasjes.

“Një grup i madh u mblodh dhe e ndanë Krumov prej kolegëve të tij. Krejt papritur u dëgjua një e shtënë. Turma u shpërnda dhe trup i Krumov ishte i shtrirë në tokë dhe pa shenja jeta”, kishte thënë hetuesi Gilles Moreau nga Policia Kanadeze, që shërbente në UN në Prishtinë.

Krumov ishte qëlluar në kokë. Aso kohe në Kosovë punonin rreth 15 mijë shtetas të huaj, plus 40 mijë ushtarë me forcat paqeruajtëse të NATO-s.

Kreu i UNMIK-ut, Bernard Kouchner, ish ministër francez, e kishte përshkruar vrasjen si një “akt të pështirë dhe frikacak”./Insajderi.com

Kurrë nuk është zbardhur kjo vrasje.