Kur një deklaratë e “pathënë” rezulton në një kërcënim të “pabërë”

Kur një deklaratë e “pathënë” rezulton në një kërcënim të “pabërë”

Gjithçka nisi mesidtën e së mërkurës, kur shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalia Apostolova u citua të ketë thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Asociacionin e Komunave Serbe duhet të rishikohet dhe se ky Asociacion duhet të miratohet.

Teksa Zyra e BE-së në Kosovë u vonua të dërgonte sqarimin se Apostolova nuk e kishte përmendur as fjalën “Rishikim” e as emrin “Gjykata Kushtetuese”, reagimet kundërshtuese tashmë kishin marrë dhenë.

Kishin reaguar dy partitë opozitare dhe Këshilli për Mbrojtjen dhe Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, të cilët kishin thënë nëpërmjet një komunikate se “insistimi i Apostolovës për rishikimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për formimin e Asociacionit është ndërhyrje flagrante në Gjykatën Kushtetuese”.

Ky reagim ishte publikuar një orë pasi Zyra e BE-së në Kosovë kishte dërguar për media sqarimin në gjuhën angleze, se Apostolova nuk e kishte përmendur as Gjykatën Kushtetuese e as rishikimin e vendimit të saj për Asociacionin.

Pos versionin në gjuhën angleze, Zyra e BE-së në Kosovë kishte dërguar në orën 18:21 minuta edhe versionin në gjuhën shqipe. Ama KMLDNJ nuk e kishin ndryshuar ende qëndrimin e tyre kundër Apostolovës.

E kjo kishte bërë që një zëdhënëse e Zyrës së BE-së në Kosovë të telefononte KMLDNJ-në që ta tërhiqte deklaratën e saj për një deklaratë të pathënë, sipas tyre, të përkthyer keq.

Për KMLDNJ-në kjo telefonatë e zyrtares së BE-së në Kosovë ishte bërë me tone “kërcënuese dhe arrogante” . Të enjten KMLDNJ dërgoi reagim duke thënë se BE-ja po i kërcënon ata.

Por në një përgjigje të Zyrës së BE-së në Kosovë, dhënë Insajderit, mohohet kjo gjë.

“Pas sqarimit me shkrim të BE-së i cili u është dërguar mediave në orën 14:19 në anglisht (me tekstin e plotë të fjalimit të Ambasadores Apostolova). Përkthimi i fjalimit në shqip dhe serbisht pasoi më vonë.  Të gjitha institucionet lëshuan përmirësimin më pas, derisa KMDLNJ-ja refuzoi ta bënte një gjë të tillë”, thuhet në përgjigjen e zëdhënëses se Zyrës së BE-së për Insajderin.

KMLDNJ-ja tha përmes komunikatës se “gjatë komunikimit zonja në fjalë ishte arrogante, imponuese dhe kërcënuese duke kërkuar që KMDLNj-ja menjëherë të dalë në një përgënjeshtrim të reagimit në kohën kur ende nuk kishte sqarim zyrtar të Zyrës së BE-së në Prishtinë dhe i cili u bë publik vetëm kah ora 18:00”.

E kjo zyrtare i tha Insajderit se kërcënimi e as qasja arrogante nuk janë përdorur në komunikim me KMLDNJ-në.

“Gjatë bisedës me KMDLNJ-në zëdhënësja e BE-së në Kosovë u shpreh e befasuar me faktin që një komunikatë e cila dënonte një deklaratë jo ekzistente pa e verifikuar burimin (BE-në) për të parë nëse kjo deklaratë është bërë në radhe të parë dhe pasi BE-ja ka publikuar fjalimin e Ambasadores Apostolova.  Zëdhënësja e BE-së në asnjë mënyrë nuk e ka kërcënuar përfaqësuesin e KMDLNJ-së, por thjesht ka kërkuar përmirësimin e deklaratës së pasaktë”, thuhet në përgjgijen e Zyrës së BE-së për Insajderin.

Kësisoj, Zyra e BE-së u përfshi në një valë kundërshtimesh për një deklaratë që sipas tyre nuk u tha teksa KMLDNJ-ja u përfshi në një kërcënim që gjithashtu sipas BE-së nuk është bërë. /Insajderi.com