Kur ministri i Brendshëm del në kundërshtim me Këshillin e Sigurisë

Skënder Hyseni ka kundërshtuar konkludimet e nxjerra nga Këshilli për Siguri të Kosovës, për rritjen e masave të sigurisë. Ministri i Punëve të Brendshme thotë se rritja e masave të sigurisë nuk ka të bëjë me "kërcënime konkrete ndaj shtetit".

Kur ministri i Brendshëm del në kundërshtim me Këshillin e Sigurisë

Të enjten kryeministri i Kosovës Isa Mustafa mblodhi Këshillin për Sigurisë të shtetit. Një ditë më pas, ai njoftoi se institucionet janë alarmuar pasi kanë zbuluar veprime të disa individëve dhe grupeve të caktuara, të cilat kanë planifikuar akte kundër disa liderëve institucionalë.

Nëpërmjet një komunikate të lëshuar të premten nga Zyra e Kryeministrit, u bë e ditur se se këshilli u mblodh pas shqetësimeve të ngritura në opinionin publik rreth sigurisë.  Ndërkaq, Policia e Kosovës rriti masat e sigurisë, duke e rritur orarin e punës për policë, nga 8 orë në ditë në 12 orë në ditë.

“Pas shqetësimeve të ngritura në opinionin publik, Këshilli për Siguri i Kosovës informon qytetarët e vendit se institucionet përgjegjëse të Republikës së Kosovës kanë zbuluar veprime të disa individëve dhe grupeve të tyre, të lidhura me grupe dhe individë nga vende tjera jashtë Kosovës, të orientuara për destabilizimin e Kosovës dhe për rrezikimin e rendit kushtetues”, njoftoi të premten Zyra e Kryeministrit.

Për alarmimin e institucioneve shtetërore ndaj masave të sigurisë foli edhe vet kryeministri Mustafa. Ai tha se “kemi kërkuar të ndërmerren hapa ndaj individëve që rrezikojnë rendin kushtetues.”

“Kemi kërkuar nga institucionet e drejtësisë që ato të ndërmarrin masa ndaj individëve të cilët e rrezikojnë rendin kushtetues dhe e rrezikojnë jetën e qytetarëve”, ka thënë kryeministri Mustafa.

Masat e shtuara të sigurisë në Kosovë, nuk ndërlidhen me ndonjë kërcënim konkret, por kanë si qëllim ofrimin dhe garantimin e sigurisë për qytetarët gjatë festës së Pashkëve, ka deklaruar sot ministri i Punëve të Brendshme.

Por, në të njëjtën vazhdë të mendimeve me Këshillin për Siguri të Kosovës dhe shefin e ekzekutivit nuk është edhe ministri i Punëve të Brendshme Skënder Hyseni. Ai thotë se Kosova nuk po përballet me një kërcënim konkret.

“Kjo bëhet për të shtuar sigurinë dhe assesi për të krijuar panik. Pra, qytetarët në vend që të mos ndjehen në panik, duhet të kenë një ndjenë më të fortë të sigurisë, sepse këto masa të sigurisë shtohen që atyre t’u mundësojnë një festim të lirë dhe pa asnjë brengë”, ka thënë Hyseni për Radio Evropën e Lirë.

Hyseni ka theksuar se shtimi i masave të sigurisë është i lidhur me festën e Pashkëve, raporton Insajderi.

“Prandaj këto masa nuk lidhen me asgjë konkrete, me asnjë kërcënim konkret. Por, është shtim rutinë i masave të sigurisë karshi festës fetare kësaj radhe. Nëse iu kujtohet, apriori gjatë festave të ndryshme bëjmë kësi lloji veprimesh, bëjmë shtim të masave të sigurisë. Policia e Kosovës i bën vlerësimet e saj profesionale dhe mbi vlerësimet profesionale edhe vlerëson masat”, ka thënë Hyseni.

Për dallim nga ministri Hyseni, ekspertë të çështjeve të sigurisë, thonë se ka kërcënime dhe se Kosova po ndërmerr masa parandaluese.

Agim Musliu, ekspert i kësaj fushe, ka thënë se që sipas informacioneve të siguruara nga institucionet e sigurisë ekziston një kërcenim real sa i përket festës se Pashkëve, për ndonjë veprimi eventual. Për këtë arsye thotë ai, janë shtuar edhe masat e sigurisë në territorin e Kosovës.

Megjithatë, Musliu shprehet se qytetarët nuk duhet të shqetësohen dhe të mbështeten në organet e sigurisë se Kosovës.

Këto masa janë masa preventive për parandalimin eventual të çdo vepre kriminale. Por, mesazhi që duhet të marr qytetari i Kosovës është që duhet të kemi plotësisht mbështetjen e Policisë se Kosovës dhe instrumentit të sigurisë dhe të mbështetemi në punën dhe veprimin e tyre .Dhe, thjeshtë të mësohemi të jetojmë me rreziqe potenciale sikurse e gjithë bota e qytetëruar“, ka thënë Musliu. /Insajderi.com