Kur Meta thoshte se do të refuzojë postin e presidentit të Shqipërisë [video]

Kur Meta thoshte se do të refuzojë postin e presidentit të Shqipërisë [video]

Ilir Meta është zgjedhur sot presidenti i ri i Republikës së Shqipërisë, një lëvizje jo aq e paparashikuar, pavarësisht mohimit të vazhdueshëm nga kreu i LSI-së.

LSI mblodhi firmat për kandidimin e Metës dhe Petrit Vasilit në postin e presidentit, por kryeministri Edi Rama e ka bërë të qartë se votat e PS do të shkojnë për kreun e Kuvendit.

Por si ka ndryshuar qëndrimi i Ilir Metës për postin e presidentit? Me 180 gradë.

Më 24 shkurt të këtij viti, Meta ishte i ftuar në emisionin “Zonë e Lirë”, në Tv Klan, dhe nga deklaratat që ka bërë atë të premte duket sikur kemi dy Ilir Meta.

Në intervistën me gazetarin Arjan Çani, Meta e përjashtoi në mënyrë kategorike se do të ishte ai kandidatura e mazhorancës për postin e presidentit.

Ai theksonte se nuk e synonte këtë post dhe se për të ishte një opsion i përjashtuar.

“Këtë gjë e mohoj (Postin e presidentit). Kam thënë që unë jam kryetar i LSI, kam marrë një mandat për të drejtuar këtë lëvizje dhe nuk mund t’i shmangem kësaj përgjegjësie. Por çështja e presidentit dhe e gjithë kjo klime ku ne kemi hyrë aktualisht, krijon shumë probleme në një kohë të shkurtër, domethënë na duhet të jemi tepër të kujdesshëm dhe të përgjegjshëm. Mendoj se kam të qartë, mendoj se Shqipëria ka gra dhe burra që mund ta bëjnë shumë mirë këtë punë dhe çështja e presidentit nuk ka lidhje me mua. (E refuzon?) Po, patjetër. Në këtë moment është shumë e rëndësishme që edhe ky proces të zhvillohet në normalitet dhe mënyrë konstruktive. Emri nuk ka rëndësi për mua. Duhet të jetë një njeri që të gëzojë respektin e të gjithë palëve. Mua nuk ma ka propozuar njeri, por nuk e synoj këtë gjë dhe e kam përjashtuar, kjo është një gjë që është përjashtuar. (Do i thuash jo?) Po. Presidenti duhet të jetë sa më konsensual të jetë e mundur”, deklaronte Meta vetëm dy muaj më parë.

Video, min- 39:45