Kur kryeministri ishte dorëzuar para Serbisë për listat e INTERPOL-it

Në tetor të vitit të kaluar, Mustafa kishte thënë se derisa Kosova të anëtarësohet në Interpol, Qeveria ka kërkuar në Bruksel që të parandalohen këto lista, që Serbia të heqë dorë nga akuzat që i bën ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës, ose që Kosova të njoftohet nga organet ndërkombëtare lidhur me listat për qytetarët e Kosovës

Kur kryeministri ishte dorëzuar para Serbisë për listat e INTERPOL-it

Mos anëtarësimi i Kosovës në Interpol është parë nga autoritetet e Kosovës si një nga arsyet pse ndodhin arrestimet e kosovarëve në Serbi bazuar në aktakuzat e ngritura nga gjykatat serbe në Serbi dhe ato paralele në të Serbisë në Kosovë.

Kosova dështoi edhe këtë vit që të anëtarësohej në INTERPOL duke mos pasur kështu qasje në listat e të kërkuarve nga ky institucion.

Kur në fund të shtatorit të këtij viti në kufi me Serbi, autoritetet serbe arrestuan nënkolonelin e Policisë së Kosovës, Nehat Thaqin, kryeministri Isa Mustafa në seancën e Kuvendit të Kosovës për këtë rast, kishte potencuar faktin e anëtarësimit në Interpol.

Mustafa kishte thënë se fakti q Kosova nuk është e anëtarësuar në Interpol, bënë që Serbia në vazhdimësi t’i freskojë dhe zgjerojë listat e kosovarëve për të cilët kërkon që të bëhet arrestimi i tyre nga Interpoli dhe organet tjera.

“Meqenëse ne si shtet nuk kemi qasje në të dhënat e Interpolit, sepse nuk jemi anëtar të Interpolit, as Europolit, ne nuk kemi informata se cilët qytetarë të Republikës së Kosovës janë të rrezikuar nga listët e tilla dhe nga veprimet e tilla”, kishte thënë Mustafa para deputetëve.

Madje Mustafa kishte thënë se derisa Kosova të anëtarësohet në Interpol,  Kosova ka kërkuar në Bruksel që të parandalohen këto lista, që Serbia të heqë dorë nga akuzat që i bën ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës, ose që Kosova të njoftohet nga organet ndërkombëtare lidhur me listat për qytetarët e Kosovës.

“Sepse është e vërtetë që kështu ka ndodhur edhe me zotin Haradinaj, kështu mund të ndodhë edhe me personalitete tjera të Kosovës, për arsye se ne nuk kemi qasje dhe për arsye se Serbia po vepron, edhe përkundër asaj që ne po bëjmë përpjekje të normalizimit të marrëdhënieve, po vepron në të kundërtën e këtij normalizimi”, kishte thënë Mustafa në seancën e mbajtur me 11 tetor.

Haradinaj u arrestua përsëri sonte në Francë pikërisht nga INTERPOL-i pas dy vitesh kur ishte arrestuar me të njejtën akuzë në Slloveni./Insajderi.com