Kur Haradinaj përlotej me ikjen e qytetarëve – sonte bënë pazare për poste

Kur Haradinaj përlotej me ikjen e qytetarëve – sonte bënë pazare për poste

Kandidati për kryeministër, Ramush Haradinaj, dhe sipas të gjitha gjasave kryeministri i ardhshëm i Kosovës pasi është arritur marrëveshja mes koalicionit PANA (PDK-AAK-NISMA-AKR) dhe janë pajtuar me Listën Serbe që të bashkëqeverisin, do ta marrë detyrën me një problem të madh: ikjen e qytetarëve nga vendi.

Pikërisht sonte, kur Haradinaj ishte duke u takuar me partnerët e koalicionit dhe Listën Serbe e cila kërkon një ministri më shumë, nga dy sa ia ka ofruar PANA, qindra qytetarë të vendit ia kanë mësyer rrugës së emigrimit.

Dhjetëra qytetarë po vazhdojnë të ikin – liderët diskutojnë për ndarje postesh

Insajderi ka raportuar sonte sesi bash në kohën kur Haradinaj bënte pazare për poste me Listën Serbe, qindra qytetarë kanë hipur në autobusët për Beograd, që janë në tri orare, 22:00, 22:30 dhe 23:00.

Një valë e tillë emigrimi kishte ndodhur edhe para dy viteve, saktësisht në shkurt të vitit 2015, kur Haradinaj ishte në opozitë, raporton Insajderi.

Atëkohë koalicion kishin formuar LDK dhe PDK, ndërsa AAK-ja e Haradinajt ishte në opozitë bashkë me NISMA-n dhe Vetëvendosjen.

Ai madje ishte përlotur kur kishte parë masën e njerëzve që iknin nga Kosova.

“Ne jemi rrënqethur kur i kem parë këto skena në media ose përmes tregimeve të njerëzve. Kuptohet sot është edhe më vështirë sepse e shohim gjallë cka po ndodhë shumica e njerëzve që po amrrin udhë janë të frikësuar “, kishte thënë Haradinaj, në shkurt të vitit 2015, raporton Insajderi.

Më pas edhe kishte shkruar një status në Facebook.

Ai thoshte se populli nuk beson se ka të ardhme të ndritur në Kosovë, dhe kjo është dhimbja vetë.

Akuzonte pushtetin e atëhershëm se e ka mbytë shpresën. Pjesë e atij pushteti ishte PDK-ja me të cilën Haradinaj do të bashkëqeverisë në katër vitet e ardhshme.

“Pushteti mbyti shpresën tek shteti. Atë sot qytetari e kërkon kufijve të Evropës, pa destinacion. Ftoj Qeverinë që të mos vazhdojë arrogancën dhe indiferencën institucionale ndaj kësaj tragjedie, ashtu siç bëri qe 2 seanca plenare. U bëj thirrje që t’i përvishen punës seriozisht, për implementimin e plotë e të përshpejtuar të rezolutës së miratuar sot në Kuvend për parandalimin e migrimit ilegal të qytetarëve të Kosovës. Mos e shtoni dhimbjen!”, thoshte Haradinaj./Insajderi.com