Kur finlandezët sprapsnin Stalinin

07.03.2017 18:55
Kur finlandezët sprapsnin Stalinin

Në shtator të 1939 nazistët njohën botën me synimet e tyre. Pikërisht më 1 shtator të këtij viti nisi pushtimi i Polonisë, akti që “zyrtarizoi” nisjen e Luftës së Dytë Botërore.

Hitleri dhe drejtuesit e lartë ushtarakë të Gjermanisë së asaj periudhë prezantuan gjithashtu edhe atë që njihet si “Blitzkreig”, një formacion ushtarak që çante linjat mbrojtëse të armikut në pika të caktuara dhe merrte prapavijën duke shmangur përballjen frontale në kufijtë e fortifikuar.

Më në veri zhvillohej një betejë tjetër, shumë herë më e pabarabartë. Finlanda dhe Bashkimi Sovjetik i asaj periudhe pak vite më parë kishin firmosur një pakt për të mos sulmuar njëri-tjetrin. Por drejtuesit në Helsinki nuk ja kishin besën rusëve dhe ishin të njohur më ambiciet e Moskës.

Për këtë, ata fortifikuan vijën kufitare për muaj me radhë në pritje të agresionit rus, që nuk zhgënjeu. Në muajt e ftohtë të dimrit të 1939 dhe 1940, Stalini urdhëroi trupat të mësyjnë vendin e vogël.

Në nëntor, trupat sovjetike ndodheshin në Karelian Isthmus me synim avancimin edhe më në Perëndim. Por llogaritë nuk ishin bërë mirë. Përballë patën finlandezët që në disavantazh të madh numerik dhe logjistik, luftuan duke përdorur natyrën dhe zgjuarsinë, shkruan tch.

Stalini zhvendosi pothuajse 1 milionë trupa në këtë konflikt, ndërsa finlandezët, së bashku me vullnetarët e mbërritur kryesisht nga Kandaja dhe Shtetet e Bashkuara, nuk kalonte 100 mijë trupat.

Por avantazhi numerik u zhvlerësua me kalimin e ditëve dhe përshkallëzimit të konfliktit. Finlandezët përdorën slitat, kamuflimin dhe luftën guerrile për të çoroditur trupat ruse të rraskapitura nga i ftohti dhe terreni i vështirë me dëborë.

Lufta zgjati 105 ditë dhe goditjen përfundimtare për trupat ruse e dha natyra. Janari i 1940 ishte një ndër muajt më të ftohtë të regjistruar në Finlandë, madje edhe për vetë rusët e mësuar me klimën e ashpër. Ngricat shkaktuan edhe më shumë dëme në ushtrinë ruse, që në mbyllje të konfliktit sovjetikët numëronin 200 mijë ushtarë të vrarë, ndërsa finlandezët 25 mijë në radhët e tyre.

Megjithatë, një ofensivë e ngjashme në të ardhmen, për vendin e vogël nordik do të ishte e papërballueshme, ndaj në mars të 1940, Helsinki nënshkroi paktin e marrëveshjes sipas kushteve të Moskës, megjithëse asnjëherë nuk kapitulloi përballë saj.