Kur Bob Dylan i quante kroatët nazistë e serbët hebrenj

Krahasimi që kishte ngjallur debat të ashpër në Ballkan

Kur Bob Dylan i quante kroatët nazistë e serbët hebrenj

Legjenda e muzikës amerikane që të enjten e 13 tetorit fitoi çmimin “Nobel” për letërsi për vitin 2016, Bob Dylan, u cilësua si “poeti që ka krijuar një mënyrë të re të shprehjes poetike së bashku me muzikën tradicionale amerikane”, por në një regjion të një tjetri kontinent, ai është një figurë e diskutueshme.

Sidomos në Ballkan, pasi në një intervistë të vitit 2012, dhënë revistës amerikane “The Rolling Stone” ai kishte ngjallur debat të ashpër, kur kishte folur për kroatët dhe serbët, apo lidhjet që u kishte bërë këtyre dy popujve dhe vendeve, raporton Insajderi.

Teksa kishte krahasuar tifozërinë serbe dhe kroate kishte bërë disa pohime që i kishin shkaktuar debat të madh.

Në Serbi, Dylan ishte një hero ndërsa në Kroaci ndjeheshin të fyer nga këngëtari dhe poeti amerikan.

Ai kishte krahasuar serbët dhe kroatët me të zinjtë dhe të bardhët. Gjithashtu i kishte krahasuar me nazistët dhe hebrenjtë.

Këngëtari legjendar që mundi shkrimtarin shqiptar Ismail Kadare në garën për “Nobel”, në këtë intervistë kishte krahasuar kroatët me të bardhët në Amerikë dhe nazistët gjerman, duke folur në diskursin e politikës amerikane, raporton Insajderi.

Duke komentuar mbi marrëdhëniet ende të tensionaura mes afrikano-amerikanëve dhe të bardhëve, Dylan kishte thënë: “Nëse keni qenë një skllavo-pronar apo keni pak Klu Klux Klan (lëvizja radikale anti personave me ngjyrë në Amerikë v.j) në gjakun tuaj, zezakët mund ta ndjejnë këtë… Ashtu sikurse hebrenjtë që e ndjenjë gjakun e nazistëve edhe serbët e ndjejnë gjakun e kroatëve”.

Dylan i kishte bërë këto komente duke folur për albumin e tij të 35-të, “Tempest” që ishte publikuar para zgjedhjeve presidenciale në Amerikë, kur në krye të Shtëpisë së Bardhë erdhi Barack Obama.

Në këtë album, Dylan e përshkruan Amerikën si një vend të formuar mbi kurrizin e skllevërve.

“Nëse skllavëria do të kishte përfunduar me një proces paqësor, Amerika do të ishte shumë më përpara sot”, kishte thënë Dylan.

Komenti në lidhje me kroatët kishte shkaktuar komente të shumta në faqet e internetit që kishin publikuar këtë intervistë.

Dylan ishte akuzuar që nuk e njeh politikën dhe historinë e Ballkanit. Dylan kishte mbajtur dy koncerte në Beograd, një në vitin 1991 dhe një tjetër në vitin 2010.

Në vitin 2010 ai kishte mbajtur edhe një koncert në Zagreb./Insajderi.com