Kundërshtimi i dytë ndërkombëtar për presidentin brenda dy jave

08.03.2017 17:18

Presidenti Hashim Thaçi nuk i ka punët mirë me ndërkombëtarët në Kosovë. Brenda dy javësh ai është përballur me dy refuzime të mëdha nga institucionet ndërkombëtare për dy cështje të rëndësishme: zgjedhjen e drejtorit të Doganave dhe projekt-ligjin për transferimin e FSK-së në ushtri pa prekur Kushtetutën.

Kundërshtimi i dytë ndërkombëtar për presidentin brenda dy jave

Presidenti ishte shfaqur jashtëzakonisht i bindur se zgjedhja e drejtorit të Doganave ishte bërë në mënyrë të paligjshme kur me 7 shkurt të këtij viti i dërgoi një letër kryeparlamentarit Kadri Veseli duke i kërkuar atij që të anulojë krejt procesin që ishte i bërë bazuar në një memorandum mes Ambasadës Britanike, Kuvendit dhe Qeverisë.

Kur letra u publikua 10 ditë më vonë nga portali i televizionit publik për tu bërë më pas temë kryesore e të gjitha medieve, Thaçi ishte në pritje të realizimit të kërkesës së tij të cilën e kishte bazuar në  disa nene ligjesh, por kishte marrë përgjigje kundërshtuese.

Pasi fillimisht pohimet e presidentit se zgjedhja e drejtorit të Doganave duke u bazuar në memorandumin që angazhonte një kompani private britanike si filtruese e kandidatëve për poste në ndërmarrje publike ishin të jashtëligjshme, u përgënjeshtruan nga Qeveria e Kosovës, presidenti u kundërshtua edhe nga Ambasada Britanike, iniciatorë e memorandumit.

Ambasada e Britanisë së Madhe ia bëri me dije presidentit faktin se drejtori i Doganave është zgjedhur në mënyrë të ligjshme.

“Ne vëmë re se Ministria e Financave e ka lëshuar një deklaratë në lidhje me ligjshmërinë e këtij procesi ku ceket se procesi ka qenë brenda dispozitës së Kodit Doganor dhe nuk është shkelur asnjë legjislacion në fuqi”, thuhej në përgjigjen e Ambasadës Britanike për Insajderin, dhënë me 22 shkurt.

Por në këtë çështje u përfshi edhe Ambasada Amerikane ani pse ajo nuk ishte pjesë e procesit.

Colleen Hayland, e ngarkuar me punë në ambasadën e ShBA-së në Prishtinë I kishte mbështetje zgjedhjes së drejtorit të Doganave në Kosovë

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës e përkrahin zgjedhjen e Bahri Krasniqit në krye të Doganave të Kosovës”, kishte thënë Hayland me 22 shkurt.

Presidenti heshti ndaj këtij kundërshtimi dhe përkundër insistimit të medieve nuk foli kurrë rreth kësaj çështje.

Nuk vonoi shumë dhe pikërisht me 5 mars, në ditën e parë të Epopesë së UÇK-së, ai tregoi se ka hartuar projekt-ligjin për transformimin e FSK-së në ushtri por ka ia ndërruar emrin e kësisoj edhe duke i ikur ndryshimit të Kushtetutës së Kosovës.

Por kur “Epopeja përfundoi” me ndezjen e flakadanëve të lirisë në Prekaz dhe presidenti u shndërrua për tri ditë në një personalitet që po e bënë Kosovën me ushtri duke bërë edhe zyrtarisht dorëzimin e projekt-ligjit  tek kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ai mori goditjen e dytë nga ndërkombëtarët.

Kësaj here, niveli i reagimit ndërkombëtarë përfshiu edhe NATO-n.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në një deklaratë të publikuar të mërkurën ka theksuar “shqetësimet për propozimin për krijimin e Forcave të Armatosura të Kosovës”.

Stoltenberg, që ka zhvilluar gjatë ditës biseda telefonike me presidentin Hashim Thaçi dhe me kryeministrin, Isa Mustafa, thotë se “NATO ka mbështetur zhvillimin e FSK-së si një forcë profesionale dhe shumëkombëshe në rritje”.

Nuk vonoi as disa orë dhe Thaçi mori shuplakën e dytë nga një tjetër institucion i rëndësishëm ndërkombëtar në Kosovë, Ambasada Amerikane.

Ambasada bëri të ditur se është kundër nismës së presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, që transformimi i FSK-së të bëhet duke shmangur ndryshimet kushtetuese.

“Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara për nismën për të ndryshuar mandatin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), pa një amendament kushtetues”, thuhet në komunikatë.

Por për dallim nga rasti i kundërshtimit për çështjen e zgjedhjes së drejtorit të Doganave, për kundërshtimin e dytë, Thaçi ka paralajmëruar se do të flas në orën 18:00./Insajderi.com