Kundërshtari i Prishtinës viziton Prekazin

Kundërshtari i Prishtinës viziton Prekazin

Anëtarë të skuadrës së Suedisë, IFK Norrkoping, me të cilën Prishtina, do ta luajë ndeshjen kthyese për Europa League prej orës 20:00 në Mitrovicë, e ka vizituar Prekazin heroik.

“Suedezët kanë shprehur dëshirë ta vizitojnë ndonjë vend të veçantë të Kosovës, dhe me propozimin e drejtuesve të FC Prishtinës, ata kanë pranuar me dëshirë e kureshtje që ta vizitojnë Prekazin e Skenderajt, ku kanë vizituar varrezat e familjes heroike të Jasharajve, e po ashtu shtëpitë e tyre, të cilat pasqyrojnë edhe sot sakrificën e kësaj familje para së cilës sot përkulen gjithë shqiptarët”, thuhet në njoftimin FC Prishtina.

Rifat Jashari, vëllai i komandantit legjendar i ka pritur anëtarët e Norrkopingut.

“Suedezët me kureshtje dëgjonin historinë rrëqethëse të kësaj familje me sakrificë të jashtëzakonshme kombëtare, e po ashtu historinë e Kosovës dhe popullit shqiptarë ndër shekuj”.

“Suedezët janë larguar nga Prekazi duke shpreh mirënjohje për FC Prishtinën dhe familjen Jashari që i dërguan në vizitë te një vend që ia vlente më së shumti për ta, normalisht pasi mësuan një të kaluar rrëqethëse e të vërtetë, e po ashtu të paharrueshme”, thuhet në njoftim.

Norrkoping udhëtoi drejt Mitrovicës, ku në stadiumin “Adem Jashari” e pret  Prishtina sonte prej orës 20:00./Insajderi.com