Kundërshtarët e pajtimit nuk e ndalin presidentin të mbajë takimin e dytë për komisionin

Kundërshtarët e pajtimit nuk e ndalin presidentin të mbajë takimin e dytë për komisionin

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, 16 ditë pasi shpalosi idenë për krijimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin me Serbinë, mbajti takimin e dytë konsultativ. Gjatë këtij takimi Thaçi ka deklaruara se ky komision nuk është zëvendësim i drejtësisë por ka për synim “të vërtetën e cila çliron njerëzit”.

“E vërteta shoqëron shoqëritë nga hakmarrja dhe urrejtja. Qëllimi i tij është fillimi i një jete të re, duke falur, por duke mos harruar. Puna e komisionit vetëm mund ta ndihmojë drejtësinë. Nuk bëhet fjalë për shlyerjen e krimit, por të ndihmohet drejtësia në ndëshkimin e krimit”, tha Thaçi.

Sipas Thaçit ky proces do të jetë ndihmues dhe lehtësues për arritjet e reja mes Kosovës dhe Serbisë.

“E vërteta nuk mund të arrihet më kushtëzimet ndaj njëri-tjetrit. Ky komision është për pajtim ndërkosovar. Nuk e zëvendëson dialogun me Serbinë”, shtoi Thaçi më tej.

Megjithëkëtë, nisma e presidentit Thaçi, që sipas tij, do të hapte një kapitull të ri “në raportet ndëretnike në vend”, është parë me shumë dilema në mesin e dy komuniteteve më të mëdha në vend, shqiptarë dhe serbë.

1600 persona ende vazhdojnë të konsiderohen të zhdukur ndërkohë që familjarët e tyre thonë se ideja e Thaçit është ende e hershme pasi sipas tyre, ‘plagët nga lufta nuk janë mbyllur’.

Bajram Qerkini, kryetar i Këshillit Koordinues të Asociacioneve të Familjarëve të të Zhdukurve, pati thënë se  përpara pajtimit duhet të dihet deri në fund e vërteta se çka ka ndodhur në Kosovë gjatë luftës.

“… pas saj vjen pajtimi. Por, pa dalë në dritë e vërteta nuk ka… për të gjithë edhe për popullatën shqiptare, serbe,malazeze etj”, tha Qerkini.

Kurse Milorad Trifunoviq nga Shoqata e të zhdukurve serbë në Kosovë, ka thënë se duhet që njerëzit të ecin përpara e të pajtohen.

“Le të shohim drejt të ardhmes. Po që të shohim drejt të ardhmes duhet të kthehemi pak edhe prapa. Sepse në mesin tonë, që jemi viktima, duam që të zbardhim fatin e të zhdukurve, duam të vijmë deri tek e vërteta për ata njerëz që kryer krimet. Duam që ata të gjykohen për shkak të gjeneratave të reja, për rininë tonë, që do të ecin drejt jetës dhe që ta kuptojnë se krimi nuk mund të mbetet i pa ndëshkuar”, ka deklaruar Trifunaoviq.

Ndërkohë, që presidenti Thaçi shpaloste idenë e tij për pajtim duke thënë se është inicitiva e parë në Ballkan, ish-shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Daan Everts, ia kujton atij një iniciativë të më hershme të dështuar.

“Për ta përmirësuar Presidentin, kjo nuk është përpjekja e parë e këtij lloji në Ballkan, ka qenë edhe një iniciativë në Kostanicë për pajtimin kroato-serb që kishte dështuar”, kishte thënë Everts. /Insajderi.com