Kundërpërgjigja e Thaçit ndaj Haradinajt – Tenton ‘rehatimin’ e Driton Gashit si sekretar në presidencë

Arrestimi dhe deportimi i fshehtë i gjashtë shtetasve turq të kërkuar nga Turqia, ka lëvizur shumë pozicione në institucionet vendore. Shkarkimi që kryeministri Haradinaj ia bëri ish-shefit të AKI-së Driton Gashi, ka bërë që presidenti Thaçi t'i 'përvjelë mëngët' ndaj tij. Ai përveç emërimit të Shpend Maxhunit, në pozitën që dikur e mbante Driton Gashi, ka vendosur që këtë të fundit ta 'rehatojë' në postin e sekretarit në zyrën e presidencës së vendit.

Kundërpërgjigja e Thaçit ndaj Haradinajt – Tenton ‘rehatimin’ e Driton Gashit si sekretar në presidencë

Ish- shefi i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Driton Gashi po shkon drejt ‘rehatimit’ si Sekretar i Presidencës.

Gashi i cili u shkarkua nga Kryeministri Ramush Haradinaj, pas skandalit me shtetasit turq, shumë shpejt do të mund ta shohim në pozitën e Sekretarit të Presidencës krejt kjo falë lidhjes që Driton Gashi ka me Presidentin e vendit, Hashim Thaçi.

Në faqen zyrtare të Qeverisë, shihet qartë se si Driton Gashi është renditur i pari në mesin e tre kandidatëve për pozitën Sekretar i Zyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës.

E nëse ai emërohet në postin e sekretarit në zyrën e presidentit Thaçi, atëherë ky do të jetë një kundërpërgjigje e këtij të fundit, ndaj kryeministrit Haradinaj, i cili e kishte shkarkuar nga posti i AKI-së, Driton Gashin, shkruan Insajderi.

Në skandalin me depërtimin e gjashtë shtetasve turq, përve AKI-së, që në atë kohë udhëhiqej nga Driton Gashi, të përfshirë ishin edhe Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës.

Menjëherë pas përhapjes së lajmit për arrestimin dhe deportimin e shtetasve turq për në Turqi, kryeministri Haradinaj, kishte marrë vendim për shkarkimin e Drejtorit të AKI-së, Driton Gashi dhe Ministrit të Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj.

Arsyetimi i Haradinajt për shkarkimin e tyre, kishte qenë mos respektimi i hirearkisë shtetërore, duke mos informuar “eprorët” e tyre për këtë aksion.

Pas vendimit për shkarkimin e Gashit, presidenti Thaçi bëri një lëvizje taktike, duke e emëruar në atë kohë drejtorin e Policisë, Shpend Maxhuni, si shef të Agjencisë së Intelegjencës kosovare.

Shumëkush e kishte përmendur presidentin Thaçi si ‘iniciator’ për marrjen e aksionit për arrestimin e gjashtë gylenistëve, duke thënë se gjithçka ishte bërë me dijeni dhe direktivat e tij.

Këto dyshime ishin shtuar më shumë, kur presidenti i Turqisë, Reccep Tayp Erdogan, publikisht kishte falenderuar ‘vëllaun’ dhe homologun e tij Hashim Thaçi.

“Operacioni i fundit në Kosovë nuk është as i pari as i fundit. Falenderoj Presidentin e Kosovës. Ndërsa Kryeministrit i them ‘turp’. Largimi nga detyra i kreut të Inteligjencës e ministrit të Brendshëm, të cilët na i dorëzuan anëtarët e organizatës terroriste FETO është një gabim historik. Ata bënë detyrën e tyre”, kishte thënë Erdogan vetëm një ditë pas arrestimit të gjashtë personave.

Presidenti Thaçi, vazhdimisht kishte mohuar përfshirjen e tij në këtë aksion.

Nëse do të emërohet Driton Gashi, në postin e sekretarit në presidencë, atëherë për Hashim Thain do të ishte një ‘rehatim’ i të dëgjueshmëve të tij dhe kundërpërgjigje ndaj kryeministrit Haradinaj, për largimin e Gashit nga drejtori i AKI-së.

Driton Gashi, ishte cilësuar si ‘njeri’ i Thaçit, edhe në kohën sa ai mbante postin e kryespiunit të Kosovës.

I dëgjueshëm i presidentit përveç Gashit, ishte cilësuar edhe tashmë drejtori i AKI-së, dikur drejtor i Policisë, Shpend Maxhuni./Insajderi.com