Kundër Korrupsioni: Kryeministri emëroi kundërligjshëm anëtarët e bordeve

Agjencia Kundër Korrupsion ka konkluduar se një numër i drejtorëve të Ndërmarrjeve Publike Qendrore të emëruar nga Qeveria e Kosovës janë persona të cilët bazuar në dispozitat ligjore nuk mund të ushtrojnë një funksion të tillë.

Kundër Korrupsioni: Kryeministri emëroi kundërligjshëm anëtarët e bordeve

Agjencia, më 2 shkurt të këtij viti,  i ka dërguar konkluzionin Zyrës së Kryeministrit të Kosovës,përkatësisht Sekretarit të Përgjithshëm, Fitim Krasniqit. E ka njoftuar këtë institucion se  komisionet vlerësuese kanë vepruar në kundërshtim me ligjin për ndërmarrje publike.

“Me rekomandim të këtyre komisioneve, të njëjtit persona më pas janë emëruar nga ana e Kryeministrit të Republikës së Kosovës për anëtar (drejtor) në bordet e ndërmarrjeve publike,” thuhet në letrën e AKK-së.

AKK ka thënë të ketë vërejtur të jenë bërë shkelje të ligjit për Ndërmarrjet Publike gjatë emërimit të anëtareve të bordeve (drejtorëve) në këto ndërmarrje publike: Aeroporti i Gjakovës, Hekurudha e Kosovës (Infrakos), Hekurudha e Kosovës (TrainKos), Kompania e Ujësjellësit Rajonal Hidrodrini, Pejë; Kompania Rajonale e Ujësjellësit Mitrovicë, Kompania e Ujësjellësit Rajonal Radoniqi, Gjakovë; Korporata Energjetike e Kosovës, Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut, dhe Posta e Telekomunikacioni i Kosovës.

Një ndër parregullsitë gjatë emërimit, siç njofton AKK, ka të bëjë me dështimin për të dorëzuar “ndër të tjerash edhe deklaratën nën betim”.

“Ky formular i deklaratës nën betim i cili është përgatitur nga Zyra e Kryeministrit nuk është i përgatitur në harmoni me dispozitat”, thuhet në sqarimin e AKK-së.

Në fund të letrës dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të Zyrës së Kryeministrit, AKK rekomandon që Formulari i Deklaratës nën betim të ndryshohet dhe të hartohet në përputhje me dipozitat ligjore.

Po ashtu, AKK rekomandon që Zyra e Kryeministrit “duhet të ndërmarrë masat e parapara me nin 17.5 të Ligjit Nr 03/L-087 për Ndërmarrjet Publike ndaj personave të cilët kanë dhënë deklarata  të rrejshme nën betim./Insajderi