‘Kullat e ngujimit’, ruajtëse të meshkujve nga gjakmarrja, sot destinacione turistike

‘Kullat e ngujimit’, ruajtëse të meshkujve nga gjakmarrja, sot destinacione turistike

Një kullë e gurtë që ka hyrë dhe ka mbetur në histori si një instrument i çuditshëm gjykimi dhe dënimi. Një kështjellë e gdhendur në gure katrore, me vrima të vogla që përfaqesonin dritare dhe themelet e veta i ka të ngulura në shkëmb.

Një fortesë e ndërtuar në fund të fshatit dhe fare pranë kishës, rreth 100 m në perëndim të saj, ndodhet kulla e famshme e nguimit e Thethit.

Sot kjo kullë është kthyer në një objekt tepër të vizitueshëm, ku turisti mëson historinë, traditën dhe kodet zakonore të së shkuarës së zonës.

Një ndër to është edhe Kulla e Ngujimit në Theth. Ndodhet nën këmbët e Bjeshkëve të Namuna dhe është tipike e kësaj zone dhe e një historie të pa përfunduar akoma.

Ishte banesa e atyre familjeve që për arsye gjakmarrje detyroheshin të mbyllnin aty meshkujt mbi moshën 14 vjeç. Vetëm gratë e shtëpisë ishin të lira të dilnin e të punonin pak tokë para kullës. Sot kulla është e vizitueshme dhe ndodhet në një zonë me vlera të mëdha turistike.

Në një bisedë me pronarin e saj, Sokol Koçeku, një mesoburrë, ai rrëfen historinë e kullës dhe bëmat e saj.

Ngjarjet e para nga kjo kullë janë një roman më vete dhe duan shumë kohë t’i tregosh, aty është ngujuar edhe njëri prej 7 shalianëve, Mark Sadiku, që lanë nam në Shkodër me bëmën e tyre.

Kulla e ndërtuar në tri kate, ka hapësira të kufizuara dhe frëngji fare të vogla. Orenditë janë të pakta dhe ato më të nevojshmet si sofra, ena e ujit dhe disa shtroje prej lëkurë delje, sigurisht dhe arma vrastare. Çdo kat përfaqëson nivelin e krimit. Kur krimi gjykohej tepër i padrejtë, vrastari vendosej në katin e parë ku ndodhet një shkëmb i madh guri dhe pak orendi.

Kur krimi gjykohej mesatarisht, vrasësi vendosej në katin e mesëm dhe më i drejti në katin e sipërm. Tamam si në Ferrin e Dantes, sipas gjykimit. Sot kjo kullë është kthyer në një objekt tepër të vizitueshëm, ku turisti mëson historinë, traditën dhe kodet zakonore të së shkuarës së zonës.

Në vend ndodhen disa kulla ngujmi që duhen prezantuar si një destinacion turistik, por dhe duke treguar kujdes ndaj tyre në mirëmbajtje dhe infrastrukturë. Ato janë pasuri kombëtare dhe duhen vlerësuar si të tilla. /KultPlus.com