Kufijtë e Kosovës në dorë të Listës Serbe

01.09.2016 22:59

Kryeministri i vendit Isa Mustafa, doli në foltoren e Kuvendit për të tërhequr nga votimi, ligjin për ratifikimin e kufirit me Malin e Zi, duke dhënë si arsye “rrethanat e tensionuara”, por në fakt në arsyetimin e tij të dytë, u tregua arsyeja e qartë e tërheqjes së këtij ligji

Kufijtë e Kosovës në dorë të Listës Serbe

 

Një koncesion që nuk u tha cili është, u përmend si kusht që Lista Serbe, e ka vënë për Qeverinë e Kosovës, në këmbim të votës pro të deputetëve të këtij grupi parlamentar.

Këtë e pranoi edhe vet kryeministri Isa Mustafa kur u ngjit në foltoren e Kuvendit të Kosovës për të tërhequr nga votimi ligjin për ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi.

Fillimisht kryeministri dha si arsye kërcënimet dhe presionet që sipas tij po ushtrohen ndaj deputetëve për të mos e votuar këtë ligj, por fill pas kësaj Mustafa dha arsyen e vërtetë.

“Konisderoj që nuk është në rregull që për këtë ligj të diskutohet dhe të trajtojmë situatën kur kemi edhe presione edhe kërcënime, në situatë kur një grup parlamentar e kushtëzon votimin e këtij ligji, me koncesione, dhe nuk dëshirojmë të bëjmë asnjë koncesion, për një ligj i cili përcakton sovranitetin, dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës”, tha kryeministri sot duke iu drejtuar deputetëve të Kuvendit.

Aty nuk ishin deputetët që kishin vënë këto kushte.

E kryeministri, nuk tregoi saktësisht se çfarë koncesioni kërkoi Lista Serbe por vëri në pah fuqinë e këtij grupi parlamentar me ulëse të rezervuara në Kuvend, për çështje të rëndësishme sikurse përcaktimi i kufijve të shtetit.

“Tërheqja e këtij ligji nuk nënkupton që ne do ta rishqyrtojmë, ose ri negociojmë marrëveshjen”, tha kryeministri në fund të fjalës së tij.

Por nuk sqaroi sesi do të sillet në raport me kushtin e Listës Serbe, parti kjo e cila është pjesë e koalicionit qeverisës.

Nuk tregoi nëse do ta kundërshtojë çfarëdo kushti të këtij grupi parlamentar karshi votës së tyre për demarkacionin, ndërsa Lista Serbe ka treguar fuqinë e saj, pikërisht në çështje të ndjeshme sikurse kufiri.

Kosova pas përcaktimit të vijës kufitare me Malin e Zi, i mbetet të përcaktojë vetëm edhe kufirin me Serbinë.

Me Maqedoninë dhe Shqipërinë ka përfunduar ky proces.

Për ratifikimin e ligjeve për vijën kufitare të shtetit të Kosovës, do të nevojiten edhe votat e Listës Serbe dhe nëse kjo parti ka vënë kushte për “koncesione” në këmbim të votës për demarkacionin me Malin e Zi, kushtet për votën pro në rast të përcaktimit të një vije kufitare me Serbinë sigurisht nuk përfshijnë vetëm “koncesionimin”./Insajderi.com